Prodhuesit e patates kërkojnë ndihmë

24/02/2015 00:00

Produktet bujqësore të kultivuara nga fermerët e Korçës as këtë vit nuk i
kanë shpëtuar kalbjes ndërsa për fermerët që përpiqen të mbijetojnë
përmes punës në bujqësi falimentimi duket i pashmangshëm.

Dhjetra fermerë në fshatin Lumalas nuk kanë mundur të shpëtojnë punën e një viti pasi prodhimet e tyre bujqësore po shkojnë drejt kalbjes.

Mungesa e fuqisë blerëse, por dhe tregjeve në afërsi të zonave ku mbillen këto prodhime është duke krijuar një situatë alarmante për situatën e këtyre familjeve, të cilat mbështesin ekonominë tek kultivimi i prodhimeve bujqësore. Për muaj të tërë këta banorë kanë shpresuar se do të mund të tregëtonin patatet e kultivuara por u është dashur që t’i hedhin pa mundur të nxjerrin as shpenzimet e tyre.

Për më tepër ata flasin për qindra heltarë të kultivuara me kosto të larta ndërsa mungesa e subvencioneve i bën që çmimet të jenë më të larta krahasuar me patatet që hyjnë nga tregu kosovar.

Në fshatin Lumalas të Korçës janë qindra familje të cilat të ardhurën kryesore kanë tokat bujqësore dhe prodhimet e tyre, ndërsa iu duhet të jetojnë çdo ditë me shpresën se një ditë do të shesin prodhimet e tyre për të marrë sadopak koston që kanë shpenzuar.

Top Channel