Prishtinë, protestë e studentëve që bllokojnë universitetin: Duam më shumë data

24/02/2015 00:00

Një grup studentësh të Fakultetit Teknik dhe Fakultetit të Mjekësisë kanë bojkotuar mësimin të martën, në shenjë pakënaqësie rreth disa vendimeve të rektorit Ramadan Zjenullahu.

Kërkesat e tyre janë shtimi i afateve të provimeve gjatë një viti, çdo
muaj të ketë afate të provimit për studentët e vitit të fundit, ndërsa
kalimi i pragut për vitin e dytë të mundësohet me 7 provime me notë
kaluese, e jo me 9 të tillë siç është aktualisht.

Studentët thanë se janë kundër vendimeve të fundit të nxjerra nga UP-ja, të cilat ua kushtëzojnë shumë përfundimin e studimeve studentëve në këtë universitet.

“Kemi dalë këtu t’i bëjmë thirrje Dekanatit, konkretisht dekanit, ta ftojë Këshillin e Fakultetit të Mjekësisë që të nxjerrin një propozim të ri, ta paraqesin në Senat, e më pas ky i fundit të hartojë një rregullore të re për Fakultetin e Mjekësisë, për shkak të kohëzgjatjes së studimeve, provimeve voluminoze dhe provimeve të shumta”, tha Bajram Krasniqi, student i Fakultetit të Mjekësisë.

“Kemi marrë një nismë për të bllokuar mësimin në fakultetet teknike. Kërkesat tona janë që afati i dhënies së provimeve të ekzistojë, po ashtu që afati i prillit të jetë me 2 provime, ndërsa afati i tetorit të jetë kusht, për shkak se ishte një nga vendimet e fundit në Senat. Kjo besoj që na lejohet nga Senati i UP-së, për shkak se studentit i lejohet tubimi paqësor brenda objektit të universitetit, apo edhe jashtë saj”, tha Jeton Sejdiu, student i Inxhinierisë Mekanike.

Mirëpo një nga profesorët e Fakultetit Teknik, Cenë Krasniqi, ka theksuar se studentët kanë kërkesa të paarsyeshme.

“Demokraci është ta shprehësh mendimin, por jo të pengosh të tjerët në veprimtari. Posaçërisht ne jemi të zhgënjyer me mënyrën sesi një grup po mbyll derën për të tjerët. Disa prej kërkesave, sipas vlerësimit tonë janë të paarsyeshme. Ka elementë që vlejnë të diskutohen, nuk dua të futem në detaje, por konkretisht sa i përket afatit të kërkesës 2, të ketë afat në tetor dhe të jetë i pranueshëm për kusht”, tha Cenë Krasniqi, profesor në Fakultetin Teknik.

Ndërsa Grupi i Pavarur Studentor ka marshuar drejt Rektoratit, ku i kanë dhënë ultimatum rektorit Zejnullahu, që deri të enjten të reflektojë ndaj  këtyre kërkesave, duke paralajmëruar protestë për këtë ditë.

Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës ka lëshuar një komunikatë për shtyp: “Duke pasur parasysh numrin e madh të studentëve aktual në UP, përmes kërkesave, të cilat bien ndesh me normat ligjore dhe janë në kundërshtim me praktikat e universiteteve cilësore, mësimdhënia në UP do të çrregullohet dhe si rrjedhojë edhe vlera e diplomës do të bjerë edhe më shumë”, thuhet në këtë komunikatë.

“Senati i UP-së, në semestrin e kaluar, ka marrë një vendim që tejkalon madje edhe statutin e UP-së, duke propozuar afate shtesë në prill dhe nëntor, vetëm që tranzicionin tonë drejt një universiteti më të mirë ta bëjmë më të lehtë”, shpjegohet më tej në komunikatë.

Top Channel