Ahlin: Suedia mbështet Shqipërinë për integrimin në BE

24/02/2015 00:00

Urban Ahlin, kreu i Parlamentit të Suedisë gjatë një vizite në Tiranë
është pritur nga Kryeministri Edi Rama, i cili nënvizoi mirënjohjen e
thellë ndaj Suedisë si një mbështetëse e hershme e zhvillimeve të
gjithanshme të Shqipërisë dhe perspektivës së saj të integrimit
europian.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim të veçantë delegacionin e Parlamentit të Suedisë të kryesuar nga Presidenti i këtij Parlamenti, Urban Ahlin.

Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, si dhe shprehu vullnetin për ngritjen e tyre në nivelet më të larta të mundshme. Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Shqipërisë si përmes projekteve të zhvillimit social-ekonomik, ashtu edhe në procesin e integrimit evropian të vendit dhe mbështetjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Presidenti Nishani e siguroi Kryeparlamentarin suedez se orientimi evropian i vendit është orientimi i vetëm dhe më i rëndësishmi, që ka një mbështetje shumë të lartë popullore dhe politike në Shqipëri.

Presidenti i Republikës i informoi deputetët suedezë mbi iniciativën e tij të ndërmarrë për reformën në fushën e drejtësisë, si dhe nevojën e përqendrimit të reformës tek reformimi i sistemit dhe jo tek emrat e përveçëm.

Ndërsa pas takimit me homologun e tij shqiptar Meta, ky i fundit është shprehur se “Suedia vazhdon t’i qëndrojë Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit tonë për të avancuar në axhendën tonë të përbashkët evropiane”.

Kuvendi ynë,- theksoi Meta, – mirëpret asistencën dhe ekspertizën suedeze të ofruar edhe në takimin e sotëm në fushën e transparencës dhe llogaridhënies përmes fuqizimit të aspektit elektronik të aktiviteteve parlamentare.  

Urban Ahlin deklaroi se “Suedia është shumë krenare që Shqipëria po luan një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajonin e Ballkanit përfshi procest integruese në BE dhe sigurisht ne do të bëjmë çdo gjë që të ndihmojmë vendet kandidate si Shqipëria në arritjen e këtij objektivi. Kështu që është një kënaqësi shumë e madhe për mua që jam këtu’.

Kryeparlamentari i Suedisë u takua edhe kreun e opozitës Lulzim Basha.

Zoti Basha i shprehu z.Ahlin mirënjohjen për mbështetjen  që Suedia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por gjithashtu i shprehu shqetësimin për hapat pas që po bëhen nga mazhoranca lidhur me standardet që kërkon më tej rruga e integrimit.

Basha, ben te ditur njoftimi per shtyp nga selia e PD-se, ne takim u shpreh se qeveria nuk po vlerëson përgjegjësitë që mbart ky proces, dhe fatkeqesisht po i zhbën standartet demokratike, të shtetit të së drejtës, konsolidimit të institucioneve të pavarura, shkeljes arbitrare të të drejtave të njeriut, shkatërrimin e administratës publike dhe nëpërkëmbjen e të drejtave të pronës së qytetarëve.

Kryetari Basha shprehu shqetësimin alarmant, – thote me tej njoftimi, – për situatën e rëndë të krimit të organizuar dhe trafiqeve të lëndëve narkotike që po vërshon në Shqipëri, duke kërcënuar rendin publik, jetën, familjet dhe pronat e qytetarëve.

Top Channel