PE, miratohet projektrezoluta për Kosovën

24/02/2015 00:00

Me 45 vota pro, 7 kundër dhe 4 abstenime, Komiteti i Jashtëm i
Parlamentit Europian miratoi projektrezolutën për Kosovën, bazuar në
raportin e zëvendëspresidentes Ulrike Lunaçek.

Dokumenti thekson nevojën urgjente për reformat integruese pas ngërçit politik 6 mujor. Sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jenë përparësitë kyçe të qeverisë së re, sipas dokumentit të miratuar. Nga 212 amendamente të propozuara ndaj raportit, 15 prej tyre u përfshinë me kompromis, por Lunaçek këmbënguli për të mos konsideruar propozimet e pakicës që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, si shumica e PE.

Debati u fokusua në emigracionin masiv të kosovarëve, me gjithë mbështetjen për liberalizimin e shpejtë të vizave, por dhe në hetimin e thellë të dyshimeve për korrupsion nga misioni EULEX në Kosovë, ndërsa Komisioni raportoi se MSA mund të jetë gati në prill.

Mirëpritet raundi i fundit i dialogut Prishtinë Beograd, por raporti për Serbinë, i miratuar me 50 vota në Komitet, bën thirrje për normalizimin e marrëdhënieve. Dokumenti, i cili u sfidua nga 222 amendamente  kryesisht të eurodeputetëve kroat, shpreh keqardhjen për moszbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe kërkon përshtatje me politikën e jashtme të BEsë. Gjyqësori, media dhe reformat ekonomiko-sociale mbeten kyçe për Serbinë, sipas raportuesit gjerman David McAllister.

“Mosnisja e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë  dëmton besueshmërinë e politikës së zgjerimit të BE-së”, thuhet në projektrezolutën e miratuar nga eurodeputetët e Komitetit të Jashtëm me 47 vota pro dhe 10 kundër për këtë vend. Në të bëhet thirrje ndaj Përfaqësueses së Lartë për t’u angazhuar me forcat politike në Shkup për t’i dhënë fund klimës së polarizuar, në mënyrë që qeveria dhe opozita të bashkëpunojnë mbi agjendën e reformave europiane.

Mali i Zi mban rolin drejtues të rajonit si i vetmi vend që vijon negociatat normalisht, me hapjen dhe mbylljen paraprake të disa kapitujve. Projektrezoluta siguroi 56 vota pro dhe 6 kundër në Komitetin e Jashtëm dhe shqetësimet e përmendura në të janë lufta  kundër korrupsionit, pavarësia e gjyqësorit dhe liria e shprehjes dhe medias.

Raportet për Shqipërinë dhe Bosnjen pritet të votohen brenda muajit nga Komiteti i Jashtëm për t’i kaluar seancës plenare të Marsit në Strasbourg, krahas atyre të vendeve të tjera të rajonit.  

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel