Kosovë, shkarkohet drejtori i Teatrit Kombëtar

24/02/2015 00:00

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka shkarkuar drejtorin e përgjithshëm të këtij institucioni, Valdet Avdiu. Përveç drejtorit të përgjithshëm, Këshilli ka marrë të njëjtin vendim edhe për drejtorin artistik Emin Emini.

Këto dy vendime janë marrë me shumicë absolute të votave të të gjithë anëtarëve dhe kanë ardhur pas një procesi të kujdesshëm të ekzaminimit dhe konstatimit të gjendjes kaotike në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe pasi është bërë vlerësimi i punës së të dy drejtorëve në fjalë.

Për këto vendime, KD ka hartuar dy raporte me shkrim në të cilat argumentohet dhe sqarohet baza profesionale, administrative e ligjore e këtyre vendimeve. Të dy këto raporte, bashkë me vendimin i janë dërguar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Çështjet dhe proçedurat e mëtejshme juridike e administrative në lidhje me këto dy vendime sqarohen dhe zbatohen në pajtueshmëri me MKRS-në dhe në harmoni me ligjet ekzistuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

Top Channel