Kosovë, kalon në komision ligji kundër luftërave

24/02/2015 00:00

Komisioni parlamentar për punët e brendshme dhe sigurinë në Kosovë rrëzoi këtë të martë amandamentet e lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e projektligjit për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve kosovarë në konflikte të armatosura.

Komisioni e votoi projektligjin pa asnjë ndryshim, duke i hapur kështu rrugë miratimit përfundimtar në seancën e Kuvendit. Vetëvendosje kërkon të çojë përpara shtatë amandamente dhe titullin e projektligjit.

Sipas anëtarit të komisionit, Rexhep Selimi, projektligji të mos quhet ‘ligj që ndalon bashkimin në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit’ por ‘ligj që ndalon pjesëmarrjen në konflikte të armatosura ose luftëra të organizuara dhe të mbështetura nga organizata me aktivitet terrorist’.

Anëtari i komisionit nga radhët e Vetëvendosjes tha se propozimet e tij do t’i paraqesë ne seancë. Ky projektligj ka kaluar në leximin e parë, ndërsa Vetëvendosje ka qenë i vetmi subjekt politik që e ka kundërshtuar në përmbajtje.

Top Channel