Sondazhi në Gjermani, një e treta fajësojnë kapitalizmin për varfërinë dhe urinë

24/02/2015 00:00

Një në 3 gjermanë besojnë se kapitalizmi është shkaku i varfërisë dhe urisë së tejskajshme në botë, ndërsa shumica e tyre mendojnë se demokracia e vërtetë nuk është e mundshme bazuar mbi këtë sistem ekonomik.

Ky është konkluzioni i një sondazhi të publikuar të martën nga Instituti i sondazheve “Emnid” i Universitetit të Lirë të Berlinit.

Sondazhi i bërë me 1400 persona nxori si rezultat se 59 përqind e gjermanëve në Lindje të vendit, një pjesë dikur komuniste, vazhdojnë t’i konsiderojnë idealet komuniste dhe socialiste si më të mirat për shoqërinë. Ndërsa në pjesën perëndimore të Gjermanisë, 37 përqind e shtetasve i konsiderojnë thjesht të mira këto ideale.

Partia e radikalëve të majtë në Gjermani mbetet ende e fuqishme në ish-lindjen komuniste, edhe një çerek shekulli pas rënies së murit të Berlinit, gjë që i hapi rrugën ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990.

Sondazhi tregon gjithashtu se më shumë se 60 përqind e gjermanëve besojnë se nuk ka demokraci të pastër as në vendin e tyre madje, sepse industria është tejet e ndikuar nga politika dhe se zëri i votuesve luan vetëm një rol sekondar.

Top Channel