Prishtinë, riatdhesohen emigrantët kosovarë. Autoritetet: Mos merrni rrugët e emigrimit ilegal

24/02/2015 00:00

Një aeroplan i posaçëm me emigrantë kosovarë, që ishin nisur nga Hungaria, është ulur në Aeroportin e Prishtinës të martën pasdite.

Të paktën 73 kosovarë, të deportuar nga vende të ndryshme të Evropës, u shoqëruan deri në Prishtinë nga dhjetëra policë civilë hungarezë, psikologë, si dhe ekipe mjekësore.

Të lodhur nga rruga e gjatë që kishin përshkuar, si dhe të nervozuar për kthimin në Kosovë, qytetarët e kthyer, kryesisht të rinj, nuk donin të flisnin për mediat, ndërsa mbulonin fytyrat teksa merrnin bagazhet e tyre. Ata madje kërcënonin kameramanët, që po filmonin kthimin e tyre në Kosovë.

Të riatdhesuarit udhëzoheshin nga stafi i Aeroportit “Adem Jashari”, që të paraqiteshin në Zyrën për Riatdhesim që ndodhet në aeroport, por as aty ata nuk donin të tregonin për kohën që kaluan jashtë Kosovës.

“Vijmë nga Dyseldorfi, jemi shumë të lodhur. Ndaj s’duam të flasim”.

Në Aeroportin e Prishtinës nuk kishte zyrtarë shtetërorë, që t’i prisnin qytetarët e kthyer, ndërsa zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, ka konfirmuar se ky ka qenë një avion i nisur enkas nga Budapesti.

“Sot kemi pasur një udhëtim ‘charter’ që ka ardhur nga Budapesti me 73 udhëtarë gjithsej”, tha Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit “Adem Jashari”.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë treguar për Top Channel, se kthimi i emigrantëve që kanë ikur ilegalisht do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.

“Po, gjatë ditës së sotme janë kthyer 73 persona gjithsej, nga shtete të ndryshme si Gjermania, Hungaria, Suedia, Sllovakia e Franca. Edhe gjatë ditëve në vijim do të ketë kthime nga vende të ndryshme. Fluturimi i radhës do të jetë në datën 11 mars”, u shpreh Roksana Qarri, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Qeveria e Kosovës është duke punuar që kthimi i kosovarëve të ndodhë gradualisht dhe nën menaxhim institucional, kurse qytetarëve u bëhen thirrje që të mos marrin rrugën e emigrimit ilegal.

“Sot kemi parë të kthehet një grup përmes fluturimeve me linjë ajrore, por udhëtimi do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Ne u bëjmë apel qytetarëve që të mos bien pre e propagandës dhe informatave jo të sakta që po shpërndahen përmes disa rrjete individësh, që të vetmin qëllim kanë përfitimin, se gjasme do t’u njihet e drejta e azilit qytetarëve nga Kosova”, tha Ramdan Ilazi, zëvendësministër i Integrimit Evropian.

Sipas informacioneve zyrtare të Qeverisë së Kosovës, shumica e emigrantëve kosovarë që ndodhen në Evropë do të kthehen përmes Aeroportit të Budapestit, ndërsa më vonë pritet që kthimi të bëhet edhe me autobusë.

Shpenzimet e udhëtimit për kthimin e emigrantëve, sipas konventave ndërkombëtare, i mbulojnë shtetet përkatëse që i largojnë emigrantët.

Top Channel