Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, të martën
është paraqitur në Prokurori për të dhënë dëshminë e tij lidhur me
aferën e përgjimeve.

Zaev, ka dëshmuar si palë e dëmtuar lidhur me padinë e deponuar ditë më parë nga partia e tij kundër ‘përgjimeve të paligjshme nga ana e pushtetit’. Kreu i LSDM-së është i bindur se të gjitha organet gjyqësore në Maqedoni janë në shërbim të qeverisë, por tha se është paraqitur në  Prokurori vetëm për të lënë dëshmi të shkruara dhe për të respektuar institucionet e vendit.

“Dinjiteti i institucionit të Prokurorisë dhe organeve të tjera gjyqësore, është rrënuar vetëm nga disa individë. Pjesa më e madhe e atyre që punojnë në këto institucione, përfshirë edhe Prokurorinë Publike, janë njerëz të ndershëm që e kryejnë me nder profesionin e tyre dhe ne besojmë se ata do të veprojnë vetëm sipas Ligjit dhe Kushtetutës së Maqedonisë”, tha Zaev.

Drejtuesi i opozitës maqedonase, shpreson se besimi tek institucionet gjyqësore do të kthehet, pasi të del në shesh e vërteta për veprimet kriminale të këtij pushteti.

“Shpalosja e të vërtetës nga ana jonë, dërgon porosi të qartë se raste të këtilla asnjëherë më nuk duhet të përsëriten, sepse afera e përgjimeve dhe disa raste tjera kanë prekur thellë në jetën e qytetarëve, në të gjitha sferat”, theksoi Zaev.

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev tha se qytetarët dhe faktori ndërkombëtar janë mirë të informuar për situatën në Maqedoni, pavarësisht tentimeve të pushtetit për të pasqyruar një realitet të pavërtetë.

Top Channel