“Zhdukja” e adoleshenteve drejt Sirisë, Turqia fajëson autoritetet britanike

24/02/2015 00:00

Turqia bën fajtore autoritetet britanike për zhdukjen e 3 adoleshenteve nga Britania, të cilat dyshohen se përmes udhëtimit nga Londra për në Turqi synojnë t’i bashkohen Shtetit Islamik në vendin fqinj, Siri.

“Është e dënueshme dhe e turpshme për palën britanike, që tre vajza të reja mundën të realizojnë udhëtimin nga aeroporti ‘Heathrow’ drejt Stambollit”, tha zëvendëskryeministri Bulent Arinc, i pyetur nga reporterët në Ankara gjatë së martës.

Arinc akuzon autoritetet britanike se kanë pritur 3 ditë përpara se t’u thonin homologëve turq se vajzat e zhdukura kishin udhëtuar drejt Stambollit.

“Përpjekjet për kërkimin e tyre janë duke vijuar. Nëse do të mund t’i gjejmë, shumë mirë. Por nëse jo, atëherë janë autoritetet britanike përgjegjëse për to dhe jo Turqia”, shtoi Arinc.

Policia britanike njoftoi javën e kaluar se 3 vajza ishin nisur me një avion të “Turkish Airlines” nga aeroporti “Gatwick” i Londrës (dhe jo ‘Heathrow’) drejt Stambollit, më 17 shkurt. Ndërsa ditën pasardhëse, policia kontaktoi oficerët e huaj të ndërlidhjes me Ambasadën turke në Londër, tha një zëdhënës i “Scotland Yard”. Gjë që hedh poshtë atë që ka deklaruar Arinc, e megjithatë ende nuk është e qartë se kur janë njohur me çështjen zyrtarët në Turqi, jo vetëm ata në Ambasadën turke në Angli.

“Që prej atëherë, ne kemi punuar ngushtësisht me autoritetet turke, të cilët na kanë ofruar një ndihmë të madhe dhe mbështetje për hetimin tonë”, shtoi zëdhënësi. Një oficer britanik i antiterrorizmit tha se policia “po përpiqen të kontaktojnë me femrat në fjalë përmes mediave turke dhe rrjeteve sociale”, me synimin për t’i bindur ato të kthehen në shtëpi.

Shamima Begum, 15 vjeç, Kadiza Sultana, 16 vjeç, dhe Amira Abase, 15 vjeç, ishin që të treja shoqe të së njëjtës shkollë në Londër. Prindërit u janë lutur publikisht vajzave të tyre të kthehen në shtëpi.

Nga sa është mësuar, disa ditë përpara se të largoheshin për në Turqi, të paktën njëra prej 3 adoleshenteve dyshohet të ketë kontaktuar një grua në moshë të re, Aqsa Mahmood, e cila kishte lënë shtëpinë e saj në Skoci për të udhëtuar drejt Sirisë në vitin 2013, e që akuzohet se po rekruton vajza të tjera përmes rrjeteve sociale.

Top Channel