“Vdekja e zezë” mbërriti nga Azia Qendrore

24/02/2015 00:00

Nga gjysma e shekullit të 14 e në katër shekujt në vazhdim një seri e njëpasnjëshme pandemish do t’i merrte jetën miliona njerëzve në Europë, në atë që njihet si “Vdekja e Zezë”.

Pandemitë ishin aq vdekjeprurëse sa në njërën prej tyre besohet se u zhduk një e treta e popullsisë europiane.

Në pamundësi për t’i dhënë një shpjegim shkencor këtyre epidemive, njerëzit e atyre kohëve i cilësonin këto epidemi si ‘ndëshkime të Zotit’.

Me zhvillimin e teknologjisë dhe mjekësisë shkencëtarët, fillimisht në shekullin e 19-të e më pas në të 20 besonin gjithnjë e më fort se shkaktari kryesor i epidemive ishte miu i zi.

Por në një studim të fundit të një grupi shkencëtarësh të Universitetit të Oslos përjashtohet edhe kjo tezë. Sipas tyre, shkaktari i përhapjes së epidemive duhet kërkuar në Azinë Qendrore, ku kishte habitatin e vet një mi i bardhë.

Sipas tyre, pranverat me lagështi dhe verat e thata favorizonin riprodhimin e këtij lloji miu.

“Në studimin tonë, nisur edhe nga dokumentet e kohës, kemi gjetur se sa herë ka patur një ‘boom’ të shtimit të këtyre minjve në Azinë Qendrore, pak kohë më vonë në zonat përreth është shfaqur sëmundja, e cila kalonte nga kafsha te njeriu e më pas falë edhe shkëmbimeve tregtare nga njeriu te njeriu”, thotë Nils Christian Stenseth, udhëheqës i studimit.

Nga analizat e ADN-së të kryera tek eshtrat e personave si në veri ashtu edhe në jug të Europë që kanë vdekur prej sëmundjes, është gjetur i njëjti patogjen, i quajtur Yersinia pestis.

Besohet se në goditjen e parë, pandemi u mori jetën 100 milion njerëzve duke ulur popullsinë globale në 350 milion nga 450 që ishte.

Europës iu deshën 150 vite që të rimerrte veten pas goditjes së parë, ndërkohë që sëmundja është shfaqur në zona të izoluara, jo në përmasat fillestare deri në shekullin e 19.

Top Channel