Udhëtimi i fundit i Kostandinës, dyshimet e babait…

24/02/2015 00:00

Kostandina Anagnosti u nis më 14 nëntor të vitit të shkuar nga Janina, ku jetonte në një konvikt, për në Dërmish të Sarandës. Mjeti kaloi pikën kufitare të Qafë Botës i pashqetësuar prej autoriteteve, edhe pse ajo duhej të ishte e shoqëruar nga njëri prej prindërve.

“Kostandina Anagnosti mendohet të ketë kaluar kufirin në Qafë Botë e shoqëruar nga Spiro Papa, një person i cili pretendon se është bashkëjetuesi i nënës së saj, dhe ka ardhur për të kaluar natën me gjyshërit e saj nga nëna, që jetojnë pikërisht në fshatin Dërmish”.

Banorët në fshatin minoritar kanë parë makinën e Spiro Papës të ngjitet në fshat në mbrëmje vonë. Hajdho Shollo, e afërme e vajzës, thotë se taksia e la atë jashtë shtëpisë dhe u largua.

“Nëna e Kostadinës vinte shpesh në fshat me këtë Spiron, por nuk jetonin bashkë. I kemi parë të zbresin këtu, por nuk kemi dëgjuar ndonjëherë ndonjë problem. Ditën që do vinte vajza, ajo më telefonoi mua – se ata nuk dëgjojnë, janë shumë pleq – dhe më tha: ki kujdes të lini portën hapur se do vijë vajza, do ta sjellë Spiro. Unë u kujdesa për këtë. Kaq dimë. Ajo vinte për dhëmbët gjithë kohës, herë e sillte nëna e herë Spiro vetë. Nuk kishte gjë, as sëmundje as gjë. Ngelëm pa mendje kur e morëm vesh. Vajza ishte si kukull, e qeshur dhe e gëzuar”, thotë Hajdho Shollo.

Gjyshja e saj, Evienia Xhollo, ende nuk e beson se mbesa nuk jeton më. Ajo tregon natën e fundit që Kostandina kaloi me të.

“Vajza erdhi në darkë këtu dhe ishte shumë mirë. Na foli, na tha ato që thoshte gjithnjë: mos u lodhni, mos u mundoni me bagëti se jeni të moshuar, mos këtë e mos atë. Kishte shumë kujdes dhe mall për ne. Po të kishte gjë do ta dija, qëndroi që folëm dhe më rregulloi edhe ca gjëra në shtëpi, para se të flinim. Vajza ishte në shkollë me konvikt dhe shkonte çdo të shtunë e të diel në shtëpi, tek nëna e saj. Vajza ime jetonte me djalin dhe Kostandinën, vajzën më të madhe e ka të martuar dhe përpiqet vetëm, që kur e la burri. Ai iku, e la për një tjetër, nuk i kishte parë fëmijët për vite të tëra, unë nuk e di pse. Di që vajza i ka rritur vetëm”, tha gjyshja.

Të nesërmen më 15 nëntor, në orën 11:00 – sipas deklarimeve për policinë – dhe në 12:00 – sipas fqinjëve dhe të afërmve – Kostandina është nisur për në Sarandë, e shoqëruar sërish nga Spiro Papa, i cili e ka pritur në fund të fshatit.

Ajo është ndalur për të rregulluar flokët, sipas deponimeve të taksistit, në rrugën e katërt… Ndërsa floktorja që kishte zgjedhur, ishte në rrugën e tretë.

“Parukeria ka qenë stacioni i parë për Kostandina Anagnostin, e cila ka mbërritur këtu në rrugën e tretë të Sarandës për të rregulluar fillimisht flokët. Pas kontakteve me parukieren, e cila nuk ka dashur të ekspozohet për kamerat, mësohet se vajza ka qëndruar vetëm 20 minuta brenda parukerisë ku ka prerë flokët. Më pas ka kërkuar një telefon, ndoshta ka dashur të kontaktojë me dikë në Greqi, person të cilin askush në parukeri nuk e ka kuptuar se kush ka qenë. E pas disa përpjekjeve për të komunikuar është kthyer sërish brenda qetësisht për të përfunduar shërbimin dhe është larguar”.

Pasi mbaron prerjen e flokëve vajza, e shoqëruar sërish nga Spiro Papa, shkon për te dentisti përballë spitalit, për të aktivizuar aparatin ortodontik, ku ka qëndruar për rreth 40 minuta.

“Menjëherë më pas, sipas të gjitha dëshmive, Kostandina Anagnosti ka mbërritur pranë klinikës dentare, përballë spitalit të Sarandës, ku ajo merrte shërbime prej muajsh për aktivizimin e aparatit dentar që mbante. Sipas pohimeve për policinë lokale dhe Prokurorinë, mjeku që kryente shërbimin thotë se ajo nuk ka hasur ndonjë problem gjatë shërbimit për aktivizimin e aparatit, duke mos shfaqur tension apo dhimbje”.

E mistershme mbetet koha pas largimit nga dentisti. Dihej qartë që vajza nuk do të kthehej më në fshat, por do të udhëtonte drejt Greqisë. Por nisja, menjëherë pas daljes nga dentisti, dhe koha e mbërritjes në spital nuk justifikohen vetëm me distancën e përshkruar Sarandë-Metoq, që është vetëm 3,5 km.

Sipas asaj që Spiro Papa iu ka treguar familjarëve dhe policisë, vajza filloi papritur të dridhej, i ra telefoni nga dora, filloi të shtrëngojë duart dhe humbi ndienjat. Ai thotë se është përpjekur ta sjellë në jetë, duke i hedhur ujë dhe duke e goditur, por nuk ka mundur dhe është kthyer me shpejtësi drejt spitalit të Sarandës, ku vajza ka mbërritur e pajetë.

“Rasti është paraqitur në datën 15, rreth orës 15:30, me numër regjistri 11717 dhe është paraqitur te mjekja roje e pajetë. Është sjellë nga një makinë dhe menjëherë doktoresha e ka marrë e ka shtrirë në krevatin e dhënies së ndihmës së shpejtë, por ka konstatuar se ajo kishte humbur jetën”, thotë Niko Kuri, nëndrejtor teknik i spitalit.

Dyshimet e para të vdekjes u hodhën mbi vajtjen te dentisti, por mjekësia ligjore doli në përfundimin se vdekja e vajzës ishte natyrale, e shkaktuar si pasojë e një hemorragjie cerebrale.

Pas ekspertizës, trupi i Kostandinës niset për në Janinë, por babai i saj, pasi e sheh në morg pas 7 ditesh të bijën, kërkon ndalimin e varrimit për të bërë një ekspertizë të dytë. Ai ka hedhur dyshime se e bija nuk ka vdekur në mënyrë natyrale, por diçka i ka ndodhur asaj gjatë rrugës.

“Sipas Prokurorisë së Sarandës, ekspertiza fillestare mjeko-ligjore përcaktoi si shkak të vdekjes së vajzës një hemorragji cerebrale, e vërtetuar kjo përmes raportit mjeko-ligjor. Por me këmbënguljen e babait të vajzës është kërkuar një rihetim i çështjes”.

Ndërkaq në fshatin Dërmish, Evienia Xhollo nuk është në gjendje të shpjegojë si e ka humbur mbesën. Ajo thotë se vajza ishte shumë mirë, nuk ka vuajtur kurrë nga ndonjë sëmundje, dhe se vinte një herë në dy muaj për të rregulluar dhëmbët. Kjo sipas saj ishte hera e parafundit.

“Kam vetëm një fotografi të Kostandinës e me atë merrem“, përfundon gjyshja, e cila flet greqisht.

Top Channel