Kapshticë, ofroi 10 mijë euro për të kaluar në Greqi, arrestohet

24/02/2015 00:00

Një rast i paprecedent është regjistruar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, pak orë pasi atje u arrestua një i ri që transportonte drogë. Një person nga Pogradeci ka tentuar të “blejë” kalimin e tij në tokën greke në këmbim të 10.000 eurove.

Reli Tora, i cili kishte probleme me hyrjen në “Schengen” i ka ofruar shumën e konsiderueshme kontrollorit të turnit, me qëllim që ai të lejonte kalimin e tij në tokën helene.

I gjendur përballë këtij fakti, kontrollori ka sinjalizuar komandatin e pikës së kalimit kufitar, ndërsa Tora është filmuar në tentativën e tij për të korruptuar.

Ndërkohë që këmbëngulte që kontrollori t’i merrte lekët dhe ta linte të ikte, Reli Tora është filmuar me lekët në dorë, ndërsa më tej është ndaluar nga Sektori kundër Krimit Ekonomik nën akuzën e korrupsionit aktiv.

Top Channel