IKMT-ja kallëzon kryebashkiakun e Gjirokastrës, leje për pallat në kundërshtim me ligjin

24/02/2015 00:00

4 muaj para zhvillimit të zgjedhjeve lokale, Inspektoriati i Ndërtimit çon për ndjekje penale kryetarin socialist të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime.

Njësoj si në Vlorë, ku ka një dosje të re penale për kryetarin e Bashkisë, socialistin tjetër Shpëtim Gjika, edhe në Gjirokastër çështja ka të bëjë me vendime të paligjshme për ndërtim pallati. Por, ndryshe nga Vlora, ku nismëtari i akuzës është vetë Prokuroria, në Gjirokastër kryebashkiaku socialist Flamur Bime është çuar për ndjekje penale nga një agjensi qeveritare.

Sipas njoftimit zyrtar, Inspektoriati Kombëtar e ka paditur kryebashkiakun për “një vendim të marrë në vitin 2009, kur ai drejtonte Këshillin e Rregullim-Territorit të qytetit, për ndërtimin e një pallati 7-katësh në lagjen “18 shtatori” në Gjirokatër në kundërshtim me legjislacionin shqiptar”.

Në njoftim thuhet se “leja është dhënë me afat një vit në 2009-ën, por më pas, në kundërshtim me çdo të dhënë urbanistike dhe të ligjeve, thotë Inspektoriati i Ndërtimit, është lejuar edhe një shtesë prej 5 katesh”. Sipas Inspektoriatit, “vendimet janë dhënë pa u bazuar në asnjë plan rregullues dhe në asnjë studim urbanistik pjesor të miratuar sipas ligjit”.

Për këtë arsye, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime dhe disa zyrtarë të tjerë të Bashkisë janë paditur për “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim”.

Është shumë herët për të kuptuar nëse ka prova të qarta që Prokuroria ta marrë ose jo të pandehur kryebashkiakun socialist të Gjirokastrës. Por, është krejt e qartë se zgjedhjet e qershorit i kanë dhënë fund edhe karrierës politike të Flamur Bimes, i cili po e drejton Gjirokastrën në një mandat të tretë në emër të Partisë Socialiste.

Në mandatin e tretë është edhe kryetari tjetër socialist i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, por edhe ky ka probleme me drejtësinë pas denoncimit nga 15 banorë të Fierit. Ai nuk lejohet të udhëtojë jashtë vendit, në pritje të gjykimit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, që sipas Prokurorisë është konsumuar prej kryebashkiakut në çështjen e ndarjes së banesave sociale.

Deri tani, nga kjo panoramë kryebashkiakësh në mandatin e tretë dhe që kanë probleme me drejtësinë, bën përjashtim Artan Shkëmbi i Pogradecit. Ai dha dorëheqjen nga selia e Partisë Socialiste në Tiranë “për t’i lënë rrugën e lirë zgjedhjes së një kandidati të ri për garën elektorale të qershorit”.

Top Channel