Borxhet e prapambetura, janë paguar 40.5 mld lekë nga totali prej 72.6 mld

24/02/2015 00:00

Ministria e Financave deklaroi se deri më tani ka paguar nga buxheti rreth 40.5 miliardë lekë borxhe të prapambetura ndaj biznesit.

Përmes një njoftimi zyrtar, Financat bëjnë të ditur se në këtë shumë përfshihen detyrime nga të gjitha kategoritë, që nga punët e papaguara publike e deri te TVSH-ja e parimbursuar, apo fatura të pashlyera për blerje mallrash dhe shërbimesh.

Shlyerja e borxheve të prapambetura ndaj biznesit nisi janarin e 2014-ës. Në total, Qeveria ka planifikuar që të shlyejë 72.6 miliardë lekë detyrime të prapambetura ndaj biznesit. Sipas një strategjie të përcaktuar, likujdimi i tyre është shtrirë në një hark kohor 3-vjeçar, që nisi vitin e kaluar dhe përfundon në fund të vitit të ardhshëm.

Detyrimi për punët publike rezultoi më i vogël se parashikimi

Vitin e kaluar, Ministria e Financave pagoi në total rreth 33.8 miliardë lekë detyrime të prapambetura, nga 35 miliardë që kishte planifikuar. Devijimi më i madh nga plani nuk ishte te shuma totale, por ndryshimet brenda zërave.

Për detyrimet e infrastrukturës, ose investimet publike siç njihen ndryshe, Qeveria pati planifikuar 15 miliardë lekë në buxhet, për gjithë vitin e kaluar. Por në fund të vitit, shifra e shlyer rezultoi vetëm 9.8 miliardë lekë. Një shmangie prej mbi 35 për qind më pak sesa plani i buxhetuar.

Të dhënat tregojnë se borxhet për investime po rezultojnë shumë më pak nga sa ishin parashikuar në fillim, kur nisi procesi i shlyerjes së tyre. Aq sa tani, Ministria e Financave do të shlyejë për dy vjet së bashku, 2014 dhe 2015, aq sa kishte parashikuar të paguante vetëm për vitin e kaluar.

Por, teksa detyrimet e paguara për investimet janë rrudhur, një tjetër zë po rezulton dukshëm më i lartë se parashikimet. Janë detyrimet e prapambetura, që Ministria e Financave i klasifikon si “të tjera”. Nga 7 miliardë që ishte planifikuar në buxhet, për katë kategori u paguan 11.1 miliardë, ose 50 për qind më shumë.

Këto janë diferenca të mëdha, të cilat së fundmi janë bërë dhe objekt i debateve të forta politike në Parlament, pasi opozita pretendon se kategoria e detyrimeve të tjera lë shteg për abuzime.

Top Channel