Kur sheh borë për herë të parë

24/02/2015 00:00

Ky është momenti kur një skuadër çiklizmi nga Ruanda ndaloi rrugëtimin e saj kur pa borë për herë të parë. Ciklistët afrikanë po stërviteshin në Utah të SHBA-së kur panë borë të grumbulluar anës rrugës.

Në vend që të vazhdonin stërvitjen, sportistët nuk u përmbajtën dot dhe zbritën nga biçikletat për të prekur me dorë borën. Ata shihen duke zhytur duart në borë, duke e hedhur në kokë e madje duke e futur nëpër xhepa për ta marrë me vete.

Këto foto janë publikuar së fundmi, por janë shkrepur në vitin 2007.

Zëdhënësi i kombëtares së çiklizmit të Ruandës shpjegoi: “Janë pamje të vitit 2007. Po stërviteshim në Utah dhe djemtë u mahnitën kur panë borë. Nuk kishin parë asnjëherë më parë. Disa prej tyre e futën në xhep pa e ditur që ajo shkrin.”

Ruanda ka një mot të ngrohtë gjatë gjithë vitit, me temperaturë mesatare 22 gradë Celsius. Megjithatë, në male ka raste që bie borë.

Top Channel