Barcelona me një këmbë në fazën tjetër, Juventusi mposht Dortmundin

24/02/2015 00:00

Juventusi dhe Barcelona hodhën një hap të rëndësishëm për kalimin në çerekfinale të Champions League, duke fituar ndeshjet e para në këtë tur.

Kampionët e Italisë mundën 2-1 Dortmundin falë golave të dyshes sulmuese Tevez-Morata, dy lojtarë këto që mbajtën nën presion gjatë gjithë kohës mbrojtjen gjermane.

Skuadra e Allegri-t kishte të gjitha mundësitë që ta merrte biletën e kualifikimit që në Torino, por tentativat e tjera të lojtarëve bardhezi nuk u finalizuan me gol. Nga ana tjetër goli i dhuruar nga Chiellini dhe i shënuar nga Reus i mban ende gjermanët në lojë për kualifikim.

Ashtu siç ndodhi një vit më parë, edhe këtë sezon Barcelona del e fituar nga “Ethiad Stadium” në Manchester.

Katalanasit mposhtën 1-2 City-n me dopjetën e Luis Suarez, i cili shënoi dy golat e parë në Champions pas atij pezullimi disa mujor që mori në botëror. Për skuadrën e milionave arab golin e vetëm e shënoi argjentinasi Aguero. Për t’u shënuar në këtë takim ishte edhe një penallti e shpërdoruar nga argjentinasi Lionel Messi në minutën e 94-ët.


Ndeshjet e kthimit për këto dy çifte do të zhvillohen më 18 Mars.

Top Channel