Basha në Lushnje: Qeveria e lidhur me hakmarrjen për drejtësi

24/02/2015 00:00

Takimi me kryesine  e Partisë Demokratike në Lushnje nuk ishte i planifikuar, por Lulzim Basha ishte suprizues në të paktën 2 qëndrime.

Njeri ka të bëjë me akuzat direkte për Kryeministrin Edi Rama, tjetri ka të bëjë me premtimin e parë elektoral të kreut të opozitës. Si asnjëherë më parë, duke dashur të denoncojë ato që i quan lidhje të policisë me krimin, Lulzim Basha akuzoi drejtpërsëdrejti drejtuesit më të lartë të mazhorancës për lidhje direkte me krimin e organizuar dhe me hakmarrjen për drejtësi.

“Të sjellë apo të risjellë në radhët e policisë jo thjesht njerëz të paaftë, por njerëz të larguar jo nga ne, por nga ministrat e tyre për lidhjet me krimin, për lidhjet me organizatat kriminale, për lidhjet me terroristët. Të lidhur me terroristë të certifikuar ndërkombëtarë si hakmarrja për drejtësinë. Dhe siç është edhe ajo shprehja e njohur shqiptare, “jep 5 lekë të futesh në valle, jep 50 dhe nuk del dot”. Edi Rama nuk del dot nga vallja, nuk del dot nga vallja Saimir Tahiri, nuk del dot nga vallja Ilir Meta. Valle e vështirë kjo, e hedhin mjeshtrit këtë valle. E hedh hakmarrja, e hedh Aldo Bare nga qelitë. Këta janë ortakët e tyre”, tha Lulzim Basha.

Gjate takimit me drejtuesit demokratë të Lushnjes, Lulzim Basha, bëri edhe premtimin e parë të bujshëm.

“Ne do t’ju garantojmë shqiptarëve se çdo ndërtim i prishur në kundërshtim me ligjin do të kompensohet dhe jo duke i marrë lekët nga xhepat e shqiptarëve, por duke i sekuestruar pronat korruptive të këtyre, sarajet e Koços dhe të arkitektëve dhe ndërtuesve të shtëpisë së Ramës”, përfundoi Basha.

Top Channel