Studimi: Duhani ‘vret dy nga tre duhanpirës’

25/02/2015 00:00

Rreziku nga pirja e duhanit mund të jetë shumë më i lartë se sa mendohej më parë. Sipas një studimi të fundit, ‘duhani vret dy nga tre duhanpirës’.

Për më shumë se 6 vjet janë studiuar rreth 200 mijë duhanpirës në Australi. “BMC Medicine” raporton se pirja e 10 cigareve në ditë dyfishon rrezikun, ndërsa ata që pinë më shumë se 20 cigare janë 4 deri në 5 herë më të rrezikuar nga vdekja.

Pirja e duhanit rrit rrezikun e një mori problemesh shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet e zemrës dhe kancerit. Sipas shoqatës britanike “Cancer Research UK” gjysma e duhanpirësve vdesin nga kanceri apo sëmundje të tjera të lidhura me duhanin. Por nga studimet e kohëve të fundit shifra mund të jetë më e lartë.   

Mjekët britanikë dhe vullnetarë të shoqatës “American Cancer”, pas studimeve të fundit te femrat duhanpirëse në Britani, kanë dalë në përfundimin se 67% e këtyre personave humbin jetën nga sëmundje të shkaktuara nga pirja e duhanit.

“Ne dinim se pirja e duhanit ishte e dëmshme, por tani kemi dëshmi të drejtpërdrejta që konfirmojnë gjetje shqetësuese. Nga studimi ynë rezulton se vdekja e parakohshme është tre herë më e lartë tek ata që pinë duhan krahasuar me ata që nuk tymosin. Gjithashtu duhanpirësit vdesin 10 vjet më herët sesa ata që nuk pinë duhan”, thotë Emily Bankat, autore kryesor i studimit australian.

Sipas “NHS Smokefree”, dhjetë vjet pas lënies së duhanit, rreziku nga kanceri në mushkri bie në 50%, ndërsa rreziku nga ataku kardiak bie në nivelin e personave që nuk kanë tymosur kurrë.

Top Channel