Kryebashkiakët e vjetër po nxirren nga loja

25/02/2015 00:00

ALEKSANDËR ÇIPA – Historia me drejtësinë në një proces të tejzgjatur dhe
me rikthime, e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, duket se
është sipari i një cikli që lidhet me disa prej emrave më të njohur të
kryetarëve të bashkive që kanë më shumë se dy mandate në qeverisje.

Nisi me Shpëtim Gjikën dhe natyrisht që prodhoi një episod, i cili ende nuk është mbyllur, për interpretime dhe diskutime politike e elektorale në Vlorë. Kjo marrëdhënie politike e krijuar pas arrestimit të figurës më dominante të dekadës, në jetën politike dhe atë qeverisëse të qytetit më të rëndësishëm të bregdetit jugor, Vlorës, mbetet ende komplekse dhe me ndikime në disa aspekte.

Ndërsa koha kalendarike e fushatës për zgjedhjet e reja vendore është ngushtuar tepër, brenda Partisë Socialiste edhe pse nuk është hapur debati për shqyrtimin e kandidaturave, po zien një kapitull i ri interesash dhe dallimesh, përplasjesh dhe dasish. Ky kapitull parashikohet të bëhet më kompleks pasi të miratohet në marrëveshjen e pritshme Rama-Meta ndarja e “byrekut” të njësive të reja administrative në krejt vendin. Një ndarje e vështirë dhe natyrisht me mundësi të madhe ndikimesh në raportet brenda së majtës dhe sidomos mes grupeve të interesit që e dominojnë të majtën dhe krejt përfaqësimet e saj.

Në këtë vështirësi, efektin e vet sjell edhe situata e preferuar prej udhëheqësish për të vënë në siklet tërheqjeje dhe pretendimi, kryetarët e bashkive që kanë më tepër se dy mandate në qeverisje. Emrat kanë nisur të përmenden shpesh në lajme. Pas Shpëtim Gjikës dhe dorëheqjes së Artan Shkëmbit, një proces i tillë është paralajmëruar për kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, atë të Gjirokastrës, Flamur Bime, e ndoshta mund të ketë edhe të tjerë në ditët e afërta.

Procese të tilla që më shumë se krijojnë dilema për të nesërmen e kryebashkiakëve të vjetër të vendit në raport me drejtësinë, po vlejnë si insinuata për vetëtërheqje apo qëndrim larg pretendimeve për mandate vijuese.

Largimi i kryetarit të Bashkisë së Pogradecit Artan Shkëmbi, me dorëheqje nga foltorja e selisë qendrore të PS-së, katër muaj para mbylljes së mandatit ligjor, la shijen e një tërheqjeje të mirëpeshuar ndoshta prej tij, por të shumëdiskutuar në publik. Kjo dorëheqje ka lënë hapësirë për hamendësime të ndryshme si për kërcënim me padi dhe probleme me drejtësinë, ashtu edhe për një vetëzgjedhje rehatie dhe zënien e një karrigeje në administratën qendrore. Madje në këto hamendësime dhe debat është përfshirë edhe oponenti potencial i Kryeministrit Rama, politikani Ben Blushi, i cili haptas e ka cilësuar këtë dorëheqje si “braktisje e detyrës” dhe ka shkuar më tej se: “Mendoj se Rama duhet të konsultohet me grupin e PS për kandidatët”.

Më ndryshe duket situata dhe raporti me kryetarin e Bashkisë së Fierit, zotin Baftjar Zeqo, ndaj të cilit gjithashtu është ngritur pretendimi dhe një padi për shpërdorim detyre. Procesi ndaj tij, dukshëm dhe fill, të lidh me kontekstin zgjedhor dhe sidomos mundësinë pretenduese për mandat tjetër. Raste të tjera gjenden dhe ndoshta do të shfaqen në media këto ditë, gjer në fund të muajit shkurt.

Ky cikël i preferuar i skualifikimeve të kryebashkiakëve të vjetër përmes proceseve me drejtësinë apo me padi të ndryshme ndaj tyre, më shumë se mbyll problemet me pretendentët për rikandidime apo përplasjet politike brenda partisë kryesore të qeverisjes dhe udhëheqësisë së saj, shton mungesën e ekuilibrave të brendshëm, po ndëshkon me paragjykim shtesë drejtësinë dhe dy institucionet bazë të saj; prokurorinë dhe gjykatat.

Procese të tilla që hapen njëherësh në disa qytete dhe për shumë prej kryetarëve të bashkive në detyrë, po shtojnë një kapitull të ri bërrylash dhe intrigash politike në nivelet bazë të së majtës. Hapja e këtyre proceseve, futja e tyre thjesht në një kalendë e cila nuk ikën prej tradicionalitetit të sjelljes së drejtësisë me qeverisësit dhe me pushtetarët në përgjithësi, përgjatë kësaj kohe tranzicioni, do të renditet thjesht si një tregues i përpjekjes në tentativë për ndëshkimin e abuzimit apo shpërdorimit të detyrës. Por ky kapitull i shtrirë si ndodhi dhe me protagonistë në disa qytete kryesore, mund të vlejë si substancë për një debat dhe polemika të reja mes PS-së dhe brenda së majtës në përgjithësi.

Duket thjesht një formë e lehtë dhe pa kosto e nevojës që ka udhëheqësia dhe Kryeministri Rama për të nxjerrë nga loja dhe për të neutralizuar pretendimet e kryetarëve në detyrë që vijnë nga karriera prej më tepër se një dekadë në krye të bashkive të majta.

Po a e mbart kjo formë një kosto elektorale dhe politike që mund të ndihet në zgjedhjet e 21 qershorit?

Ka shumë gjasa që ndikimi i kësaj forme të dëshmohet në rezultatet numerike të votave që do të marrin kandidatët që do të nxjerrë PS-LSI dhe PD për mandatet e reja të 61 kryebashkiakëve të vendit. Kjo është kosto që mund të vlejë si një arsye pasardhëse për vijim të debateve brenda PS-së dhe sidomos në raportet e Kryeministrit Edi Rama me socialistët. Ky argument do të vlejë si nxemje për debatin që ka nisur të shfaqet në pohimet e hapura të disa deputetëve si Ben Blushi apo dje edhe prej deputetit Tom Doshi. Ato natyrisht që kanë lidhje me presionin e brendshëm për ndryshime në kabinetin qeverisës të Kryeministrit Rama, i cili, ditët e fundit, po bëhet edhe më i madh dhe po përfshin aktorë nga brenda dhe faktorë nga jashtë.

Gjithsesi, nxjerrja nga loja e kryetarëve të vjetër të bashkive që kanë ende pretendime për mandate të dyta, të treta apo edhe të katërta, përkon me nevojën për ndryshim dialektik dhe qarkullim të elitave në qeverisjen vendore.

Top Channel