Numrin ‘21’ e lexojnë ‘IS’, policia shkon në festën e ditëlindjes

25/02/2015 00:00

Një çift suedez krijoi përshtypjen se ishte mbështetës i Shtetit Islamik kur kalimtarët ngatërruan numrin “21” me “IS”, shkurtimin e grupit terrorist. Ngjarja ka ndodhur në Karlskrona.

Fabian Akesson ishte duke larë dhëmbët kur pa poshtë banesës së tij disa makina policie.

“Dëgjova trokitje në derë dhe pashë policinë. Kur më shpjeguan arsyen pse kishin ardhur në shtëpinë time, nuk e mbajta dot të qeshurën. I shpjegova se tullumbacet me numrin 2 dhe 1 ishin kthyer dhe nga jashtë dukeshin si shkronjat I dhe S. I thashë që organizuam një festë ditëlindjeje, por gjithsesi më kërkuan që t’i hiqja numrat për të shmangur keqkuptime të tjera”, tha Fabiani.

Sara, vajza që kishte ditëlindjen, tha: “U befasova nga e gjithë kjo. Sigurisht që këtë ditëlindje nuk do e harroj kurrë.”

Oficeri Kurt Erik Gunnarsson u shpreh: “Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë. Morëm telefonatë për propagandë ekstremiste, por gjetëm një festë ditëlindjeje.”

Top Channel