Bime reagon pas akuzave të IKMT: Kam zbatuar vetëm ligjin

25/02/2015 00:00

Kreu i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime ka reaguar një ditë pasi
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ngriti një kallëzim
penal ndaj tij me akuzën e dhënies së një leje të paligjshme për
ndërtim.

Në një konferencë për mediat ditën e sotme, Bime i ka cilësuar krejtësisht të pabaza dhe të pavërteta akuzat e IKMT, ndërsa ka theksuar se gjatë gjithë punës së tij si kryebashkiak është udhëhequr vetëm nga ligji.

“Ne disponojmë gjithë dokumentacionin ligjor që provon punën dhe veprimtarinë e bashkisë, të mbështetur mbi rregullat dhe rregulloren e legjislacionit në fuqi. Të gjithë dokumentacionin jemi të gatshëm t’ia vëmë në dispozicion IKMT dhe prokurorisë. Jam i sigurt se në të gjithë punën dhe veprimtarinë tonë jemi udhëhequr nga respektimi maksimal i ligjit”, tha Bime.

IKMT kallëzoi kryebashkiakun e Gjirokastrës, pasi sipas saj në kohën kur Bime drejtonte KRRT e qytetit ka dhënë leje për ndërtimin e një pallati në lagjen ‘18 Shtatori’ në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.

Top Channel