Tom Doshi: Ndryshime në Qeveri, shume ministra të konsumuar

25/02/2015 00:00

Sikurse një ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist,
deputeti Tom Doshi kësaj here përballë medias në përfundim të mbledhjes
së Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ka përforcuar idenë se ka ardhur
koha për ndryshime në Qeveri.

“Dihet që ka ardhur koha për ndryshime sepse shumë ministra janë konsumuar. Nuk ka ardhur ende koha për t’i bërë emrat publikë”, tha Doshi.

Deputeti socialist i Shkodrës sqaroi se pakënaqësitë e tij nuk janë personale, por reflektojnë shqetësimet që vijnë nga baza.

“Unë çdo gjë e lidh me shqetësimet që ka baza. Unë për vete komunikimin e kam shumë të mirë me ministrat, por problem mbeten shqetësimet në bazë, e cila është lënë pas dore”, tha deputeti socialist.

Tom Doshi nuk i kurseu kritikat për kolegët e tij deputetë, duke theksuar se nuk duhet të bënin publike çfarë ishte diskutuar në mbledhjen e grupit parlamentar.

“Ajo ka qenë mbledhje e grupit, brenda familjes tonë të madhe socialiste. Ata kolegët e mi që ia kanë thënë mediave kanë bërë gabim”, tha Doshi.

Top Channel