Stadiumi “Qemal Stafa” s’është gati, polemika mes Partizanit dhe Tiranës për datën e derbit

25/02/2015 00:00

Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” ende nuk është gati. Fusha e re pritej të ishte gati këtë javë, ku do të luhej ndeshja e parë, derbi Tirana-Partizani. Por Specialistët e huaj, të cilët kanë montuar fushën kanë vënë veton që brenda këtyre ditëve të luhet në tapetin e ri.

Klubi i Tiranës përmes një njoftimi publik u shpreh se kishte rënë dakord me klubin e Partizanit që derbi i kryeqytetit të shtyhej për në 12 mars. Por njoftimi se supersfida e javës së 24 do të luhej 2 javë më vonë ka sjellë dhe polemika mes klubeve, të cilat nëpërmjet deklaratave për shtyp, të publikuara në kanalet zyrtare në rrjetin social “Facebook”, fajësojnë njëra-tjetrën.

Klubi i Partizanit thekson se nuk ka pranuar në asnjë moment që derbi të zhvendoset në një datë tjetër dhe se vazhdon të kërkojë që të luhet në datën e programuar sipas kalendarit të sezonit futbollistik.

Ndërkohë, Tirana e ka cilësuar fëmijërore sjelljen e drejtuesve të Partizanit, të cilët çuditërisht ndryshuan mendim brenda ditës.

Tashmë i takon Federatës Shqiptare të Futbollit të vendosë datën, orën dhe stadiumin ku do të luhet derbi i kryeqytetit Tirana-Partizani.

Top Channel