AI: Dhuna në familje ende e lartë. Gratë tërheqin paditë pas denoncimit

25/02/2015 00:00

Në raportin e saj te fundit, Organizata Ndërkombëtare e të Drejtave të
Njeriut, ‘Amnesty International’, nxjerr në plan të parë si shqetësim
kryesor fenomenin mjaft të përhapur të dhunës në familje, si edhe faktin
që viktimat e saj rrallëherë arrijnë të përfitojnë nga drejtësia.

Në Shqiperi, – thuhet ne dokument,-  vazhdojne te mosdeshkohen plot raste te torturës dhe keqtrajtimit. Evidentohet ne menyre te veçante edhe fakti qe pavaresisht zotimeve te ekzekutivit, strehimi per te varfërit, përfshirë romët, mbetet shumë i kufizuar, ndersa kazermat qe duhet te sherbenin si strehime te perkohshme per te dëbuarit, nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare.

“Amnesty” kujton sesi ne qershor, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, i miratoi Shqipërisë statusin e vendit ‘kandidat’ për anëtarësim në BE, duke e kushtëzuar atë me reformat e mëtejshme në drejtësi, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Organizata nderkombetare i rikthehet nje çeshtjeje te vjeter, asaj te Remzi Hoxhes e thote se vendndodhja e trupit te shqiptarit nga Maqedonia, i cili u zhduk me forcë në vitin 1995 nga agjentët e Sigurimit Shtetëror, nuk iu tregua të birit, pavarësisht deklaratave te Kryeministrit në 2013-ten se vendndodhja e varrit të tij do të identifikohej. Risillet ne vemendje edhe rasti i Aleks Nikes, si dhe shqyrtimi i kesaj çeshtjeje nga prokuroret.

‘Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Autoriteti Kombëtar i Strehimit, propozuan shtimin e numrit të banesave sociale dhe qasjes për ata me strehim të papërshtatshëm’, thuhet me tej ne raport. Në muajin shkurt, Ministria paraqiti një strategji të re të strehimit për të përfshirë romët dhe egjiptianët, për të nxitur legalizimin e strehimeve joformale dhe për të përmirësuar qasjen në ujë të pijshëm dhe kanalizime.

Megjithatë, progresi i shenuar, eshte shume i vogel. Ne syte e grupit te te drejtave te njeriut, Qeveria shqiptare deshtoi ne garantimin e te drejtes ligjore të jetimëve të pastrehë për përparësi në strehimin social. Raporti evidenton sesi deri në fund të muajit shtator, 3 094 incidente të dhunës familjare janë raportuar në polici, ku gratë ishin viktima në shumicën dërmuese. Por, vetem një e treta e rasteve iu nënshtruan procedurave penale.

‘Pergjate periudhes ne fjale, mbi 12 mijë shqiptarë kanë paraqitur kërkesa për strehim në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke paraqitur si shkak dhunën familjare dhe diskriminimin ndaj komunitetit LGBT dhe romëve’, thuhet në pjesën për Shqipërinë në raportin e ‘Amnesty International’.

Top Channel