Paditet kryetari i bashkisë së Peshkopisë

25/02/2015 00:00

I paditur për ndërtimet në territorin e Bashkisë ka përfunduar këtë të mërkurë edhe kryebashkiaku i Peshkopise Ilir Krosi.

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzoi penalisht kryetarin e Bashkisë me akuzen për “shpërdorim detyre”. Po me të njëjtën akuzë kallëzohen edhe kryeinspektori i Bashkisë Peshkopi, Gafur Gazidede si dhe ish-kryeinspektorët Halil Zhuka dhe Dilaver Drizi.

Janë të paktën shtatë raste, kur këta shtetas nuk kanë vepruar sipas ligjit, për ndalimin e punimeve të kundërligjshme të kryera në territorin e bashkisë së Peshkopisë. Nga kryeinspektori dhe paraardhësit e tij të kallëzuar, nuk janë marrë masat përkatëse për parandalimin e këtyre punimeve, duke mos vazhduar procedurat ligjore dhe duke mosrespektuar afatet për zbatimin e vendimeve të marra.

Ndërsa nga ana e kryetarit të Bashkisë, nuk është marrë asnjë masë konkrete ligjore për të parandaluar ndërtimet e kundërligjshme.

IKMT kërkon nga institucionet e drejtësisë edhe marrjen e masës së pezullimit nga detyra për kryetarin e Bashkisë Peshkopi dhe kryeinspektorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Peshkopi.

Top Channel