Qeveria prezanton planin 4-vjeçar

25/02/2015 00:00

Dy muaj pas funksionimit të Qeverisë, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa
ka prezantuar të mërkurën programin qeveritar për katër vitet e
ardhshme.

Ai tha se programin qeveritar më 6 mars do ta prezantojë edhe në Konferencën e Donatorëve, ndërsa në javët në vijim programi do t’u prezantohet edhe deputetëve kosovarë.

Programi i paraqitur nga Mustafa ka pesë prioritete duke nisur nga zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, punësimi dhe mirëqenia sociale e qytetarëve, sundimi i ligjit, agjenda evropiane si dhe arsimi e shëndetësia.

“Unë vlerësoj se ky është një Program i Zhvillimit, është një program i shpresës për jetë më të mirë, një Program për stabilizim familjar dhe për stabilitet të çdo individi në shoqërinë tonë, dhe mendoj se vlera themelore e këtij Programi është edhe një vend pune, është edhe një i punësuar, është edhe një familje që do të ketë sigurinë për të jetuar në Kosovë. Dhe mendoj se ky Program, duke zbatuar një nga një objektivat që ne i kemi paraparë, do të përballoj nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, tha Kryeministri.

Mustafa tha se në këtë fazë nuk mund të flasë për shifra konkrete të vendeve të punës që mund të hapen, por sipas tij, reformat që parasheh të bëjë programi qeverisës do të krijojnë vende punë në sektorin privat.

“Unë nuk mund të them tani se do të punësojmë 100-150 mijë, 200 mijë, mirëpo me rëndësi është që të fillojmë sepse çdo vend i ri i punës, në proporcion gjeometrik pastaj krijon edhe vende tjera të punës dhe ne jemi të interesuar që këtë proporcion ta kapin në zhvillimin tonë”, u shpreh Mustafa.

Kryeministri tha se krahas programit qeveritar brenda gjashtë muajve Qeveria e tij do ta hartojë për herë të parë në historinë e Kosovës edhe strategjinë kombëtare të zhvillimit për periudhën nga viti 2015 deri më 2020.

Me programin e paraqitur, Mustafa tha se do ta bëjnë Kosovën vend me të cilin do të mburren shtetasit e saj dhe jo të ikin nga shteti sikur deri tani dhe të kenë pasoja.

“Unë e ndaj dhimbjen me atë familje për fëminë, i cili ka vdekur atje, por konsideroj se përgjegjësia themelore për fëmijët, janë përgjegjësi familjare, janë përgjegjësi të prindërve. Këto përgjegjësi ne duhet t’i themi sepse askush nuk mund t’i marrësh fëmijët në krah, ta lëshojë Kosovën, të shkojë në rrugë pa e ditur adresën ku po shkon dhe pa e patur sigurinë”, tha Mustafa.
  
Kryeministri edhe njëherë ka ftuar Listën Serbe që të kthehen në institucione dhe të nisin zbatimin e projekteve të ndryshme në komunat me shumicë serbe.

I pyetur se a do të zbatohet marrëveshja me Hashim Thaçin që ky i fundit të bëhet president sipas marrëveshjes së koalicionit, Mustafa tha se programi qeveritar nuk ndërlidhet me këtë çështje, ndërsa ka rikonfirmuar se Thaçi do të bëhet president më 2016.  

Top Channel