Franca, “kërcënim” të hapur Rusisë: Sulmet në Mariupol sjellin sanksione të reja

25/02/2015 00:00

Franca paralajmëroi pa doreza Rusinë, se çdo sulm i rebelëve ndaj Mariupolit do të kishte pasoja të rënda për Moskën. Ministri i Jashtëm, Laurent Fabius, shpjegoi se çfarë nënkuptohet me këtë pohim: nëse separatistët guxojnë të mësyjnë sërish qytetin portual të Ukrainës, atëherë Europa do të marrë në konsideratë zgjerimin e sanksioneve.

“Ia thamë hapur rusëve, se po pati një sulm tjetër të separaristëve në Mariupol, gjërat do të ndryshojnë në mënyrë drastike, e me këtë nënkuptoj edhe mundësinë e shtimit të sanksioneve”, tha Laurent Fabius, ministër i Jashtëm i Francës.

Çdo përpjekje e rebelëve për të marrë Mariupolin, edhe për homologun e tij gjerman Frank-Walter Steinmeier do t’i ndryshonte tërësisht themelet e marrëveshjes së Minskut, e në atë rast të gjithë do të gjendeshin përballë një situate krejtësisht të re.

Separatistët vetë pretendojnë se nuk kanë ndërmend të rimarrin kontrollin e qytetit dhe mohojnë raportet se në afërsi të Mariupolit ka pasur përplasje të tjera të armatosura.

Ukraina, sakaq, përballet edhe me një armik të brendshëm: krizën e thellë ekonomike, që ka gjunjëzuar vendin. Për të shmangur falimentin shtetëror dhe për të marrë kredi të huaja, Ukraina po rrit çmimet e energjisë për familjet dhe po shkurton përfitimet sociale. Në këto kushte, një pjesë e madhe e popullsisë, sipas korrespondentëve të huaj, kërcënohet nga varfëria ekstreme.

Top Channel