Botërori në dimër, FIFA refuzon kompensimet

25/02/2015 00:00

Zhvillimi i botërorit të Katarit në muajt nëntor-dhjetor, ashtu siç edhe ka propozuar një komision i posaçëm i ngritur për këtë qëllim do të çorodisë një sërë kampionatesh kombëtare në mbarë botën.

Në kohën kur klubet dhe ligat kombëtare kanë kontrata të lidhura me sponsorë të fuqishëm, kjo mund të përkthehet në humbje të mëdha për to. Për këtë arsye në media kanë nisur kërkesat e para drejtuar FIFA-s për të kompensuar federatat kombëtare dhe klubet për ‘dëmin që do t’i shkaktojë’ zhvillimi i botërorit në këtë periudhë.

Por organizmi më i lartë i futbollit botëror ka hedhur poshtë këto pretendime duke deklaruar se nuk do të ketë asnjë kompensim.

“Nuk do të ketë asnjë kompensim, për askënd. Janë shtatë vite përpara, një kohë e mjaftueshme për të gjitha federatat dhe klubet për t’u riorganizuar”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke.

Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s do të mblidhet në fund të muajt mars për të miratuar rekomandimet e komisionit, që propozon zhvillimin e botërorit në nëntor-dhjetor. Ka zëra se kompeticioni mund të nisë më 26 nëntor dhe të përfundojë më 23 dhjetor.

Top Channel