BB: 1.1 miliard dollarë financime për 5 vitet e ardhshme

25/02/2015 00:00

Banka Botërore i paraqiti Komisionit të Ekonomisë programin 5-vjeçar të
bashkëpunimit me Shqipërinë, në të cilin angazhohet të ruajë nivelet
rekord financimi.

“Po shikojme nje program me angazhime te reja financiare prej mbi 200 milione dollare ne vit. Pra ne total behet  fjale per 1.1 miliarde dollare per pesë vitet e ardhshme. Do te financojme mesatarisht 3 projekte te reja ne vit, te cilat perfshijne mbeshtetje buxhetore per sektorin makroenomik dhe ate financiar si dhe ne projektet e klimes se biznesit”, thotë Tahseen Sayed, shefe e Bankës Botërore në Tiranë.
 
Sipas Bankës do të jenë rreth 15 projekte që do të financohen deri në vitin 2019, të përqëndruara në sektorë të ndryshëm për të mbështetur rritjen ekonomike.
 
BB: Mbështesim reformën në energjetikë

Drejtuesja e Bankës ju përgjigj një liste të gjatë me pyetje nga deputetët për programin e ri. Por çështja më e nxehtë ishte ajo e financimit të reformës në sektorin energjetik e ngritur nga deputeti demokrat Sherefedin Shehu.

“Ne mbeshtesim plotësisht reformën që Qeveria po zbaton në fushën e energjisë për të rimëkëmbur sektorin, i cili është në një krizë të thellë shumëplanëshe. Sa i perket efektit tek të varfërit, ka nje skeme mbrojtese qe jep rreth 640 leke per te perballuar rritjen e çmimit. Pra mekanizmat jane. Pyetja kyç per Shqiperine, mendoj une eshte a mundur vjedhja e energjise te vazhdoje pafundesisht. A mundet gjysma e njerëzve te konsumoje dhe te mos paguaje?” tha Tahseen Sayed.

Zoti Shehu mendon se reforma që banka po financon në sektorin energjetik po del kundër qëllimit të saj, pasi është duke thelluar varfërinë

“300 kilovat kushtojnë të paktën, 3 500 lekë, ndërsa ndihma ekonomike mesatare është 1 700 lekë. Kështu që ne paprakisht e dimë që këta njerëz, të paktën 150 mijë familje nuk kanë mundësi të paguajnë fatura të energjisë elektrike. Mendoj që duhet të ishit më të kujdesshëm që të financonit sektorë të cilët kontribuojnë në rritjen e varfërisë dhe kjo është kundra objektivit dhe misionit të Bankës Botërore”, tha Shehu.

“Unë nuk gjykoj që Banka ka bërë faje, dëme apo krime gjatë aplikimit të projekteve të saj këtu në Shqipëri. As ka mbështetur dhe as ka konsumuar të tilla. Thënë këtë, doja jo vetëm të shprehja falenderimin, por edhe mirënjohjen për të gjithë angazhimin e Bankës Botërore në Shqipëri gjatë gjithë viteve, gjatë gjithë këtyre 24 viteve të fundit, veçanërisht fokusin e saj për të ndihmuar dhe për të zhvilluar këtë vend, për të ndihmuar edhe kategori sociale, për të përmirësuar edhe sistemet e mbrojtjes sociale të tyre”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Brace.

Banka Botërore është donatori më i madh në Shqipëri, me një total disbursimesh prej mbi 1.4 miliardë dollarë. 

Top Channel