ISIS, 150 asirianët pengje mund të pësojnë fatin e të tjerëve

25/02/2015 00:00

ISIS besohet të ketë marrë më shumë pengje të komunitetit të krishterë asirianë, nga sa mendohej më parë, teksa nga raportimet e fundit mësohet se ekstremistët po përgatisin planet për të lëshuar një tjetër mesazh gjatë së mërkurës, nëpërmjet të cilit do të kërcënojnë vrasjen e tyre.

Osama Edward, themelues i Rjetit Asirian të të Drejtave të Njeriut, tha për CNN se grupi ekstremist mund të ketë deri në 150 pengje, duke cituar informacionet e fundit nga ekipi në terren i rrjetit të drejtuar prej tij.

Shifrat fillestare bënin të ditur për pengmarrjen e rreth 70-100 personave, mes të cilëve gra, fëmijë dhe të moshuar.

Videomesazhi do t’i drejtohet sërish presidentit Barack Obama, por edhe anëtarëve të tjerë të koalicionit të udhëhequr prej SHBA-ve kundër ISIS, bëri të ditur Edward, i cili ndodhet në Stockholm të Suedisë.

Asirianët u morën peng gjatë orëve të para të së martës, në fshatrat pranë Tal Tamer në verilindje të Sirisë. Edward, familja e të cilit është sulmuar nga grupi terrorist në këtë zonë, tha se informacionet e fundit nga terreni tregojnë se pengjet janë zhvendosur në një vendndodhje të kontrolluar nga ISIS.

Edhe organizata e aktivistëve “Raka është duke u therur në heshtje”, njoftuan përmes Tëitterit se ISIS ka zhvendosur një sasi pengjesh asirianë në Raqqa, një bastion i kontrolluar nga ISIS.

Mesazhi i fundit i marrë nga pengjet ishte një tekst i dërguar nga një grua e marrë peng drejt bashkëshortit të saj. Ajo thoshte se pengmarrësit po merrnin në pyetje pengjet, duke u interesuar nëse gratë ishin pjesë e milicive lokale.

Edward shton se i frikësohet faktit që pengjet mund të përballen me të njëjtin fat si asirianët e shënjestruar në Irak më herët, ashtu sikurse edhe 20 anëtarët e minoritetit të të krishterëve koptë egjiptianë, të cilët u ekzekutuan nga ISIS në Libi muajin e kaluar.

“Të gjithë mund të pësojnë të njëjtin fat. Ndaj i bëjmë thirrje mbarë botës, ashtu sikurse Shteteve të Bashkuara, Europës dhe forcave të koalicionit, që të mbrojnë asirianët në Siri”, tha ai. “Ata po përballen me vdekjen, pengjet janë të paarmatosur dhe janë paqësorë. Ata kanë nevojë për ndihmë, por thjesht janë lënë vetëm. Askush nuk po mendon t’i ndihmojë ata”.

Edward bëri të ditur se 35 fshatra me asirianë janë marrë nga ISIS, duke detyruar mijëra familje të arratisen. Rreth 600 familje kanë shkuar refugjatë në Katedralen e Shën Mërisë në al-Hasakah të Sirisë. Asirianët, siç thotë ai, vuajnë mungesën e ushqimeve, ujit, batanijeve dhe sendeve të tjera të nevojshme, pasi janë gjendur prej vitesh në mes të luftës civile siriane.

Top Channel