Ukrainë, shënohet dita e parë pa viktima mes forcave qeveritare nga 15 shkurti

25/02/2015 00:00

Paqja e pritur prej shumë kohësh, më në fund u respektua në Ukrainën lindore, të paktën gjatë ditës së mërkurë, kur ushtria ukrainase nuk ka raportuar asnjë humbje jete mes forcave të saj, për herë të parë prej shumë javësh. Megjithatë, lajmi pozitiv nuk ndali aspak një zhvlerësim të monedhës vendase, që detyroi Bankën Qendrore të ndalonte tregtimin në bursa.

Ushtria ukrainase tha se gjatë 24 orëve të fundit është shënuar dita e parë pa viktima nga luftimet përgjatë shumë javëve, përpara se marrëveshja e armëpushimit të hynte në fuqi më 15 shkurt. Është raportuar vetëm një ushtar i plagosur.

Në lindjen e vendit të kontrolluar prej rebelëve, separatistët janë duke tërhequr armatimet e rënda nga vija e frontit të luftës. Kievi ka bërë të ditur se është ende herët të bëjë të njëjtën gjë, por pranimi se thuajse i gjithë fronti ka qenë i qetë mund të përbëjë një sinjal se paqja mund të implementohet, edhe pse u duk si një marrëveshje e dështuar për shkak se rebelët nisën një ofensivë madhore gjatë javës së kaluar.

Lajmi i mirë, por i kujdesshëm nga vija e fronit, ka ardhur në një moment jo të mirë për vendin, mes pasojave të tmerrshme ekonomike që mund ta çojnë drejt falimentimit. Monedha ukrainase duket në rënie të lirë për shkak të largimit të investitorëve, ndaj dhe Banka Qendrore ndaloi bankat të hynin në marrëdhënie tregtare për të blerë valutë në emër të klientëve përgjatë kësaj jave.

Kryeministri Arseniy Yatseniuk tha se pezullimi ishte diçka e keqe për ekonominë. Ai mësoi për këtë vendim përmes internetit dhe tha se do të kërkonte një shpjegim nga shefja e Bankës Qendrore, Valeria Gontareva. Banka Qendrore tha se kjo masë ishte e nevojshme për të stabilizuar monedhën, mes kërkesave “të pabaza” për ta këmbyer me valutë. E megjithatë, bankat mund të tregtojnë sërish mes tyre.

Top Channel