Sistemi i patentave, pikët do të hiqen për shkeljet që Kodi parashikon pezullim leje

25/02/2015 00:00

Ministria e Transporteve thotë se mënyra e re e vlerësimit të shkeljeve
të kryera nga drejtuesit e automjeteve përmes sistemit të pikëzimit do
të hyjë në fuqi përfundimisht në muajin mars.

Por për këtë, Ministria sqaron se qytetarët nuk do të duhet të pajisen me një format të ri të lejes së drejtimit.   

“Kartoni nuk do të ndryshojë asgjë, pra si format, patenta do të mbetet ajo që është. Pikët janë virtuale. Njoftohen rasti pas rasti, sipas shkeljeve. Por, kundrejt individit nuk do të ndryshojë asgjë,nuk ka asnjë detyrim”, thotë specialisti i i Ministrisë së Transporteve, Nikolin Bërzhiku.

Ministria thotë se heqje pikësh do të ketë vetëm për ato shkelje për të cilat Kodi Rrugor parashikon pezullim të patentës. Për këto raste, në momentin e kryerjes së shkeljes drejtuesi i mjetit ndëshkohet me masën përkatëse të gjobës dhe del para Komisionit të Disiplinës, i cili përcakton heqjen e apo jo të pikëve të patentës.

Pikët në total janë 20 dhe në rast të zerimit të tyre, drejtuesi është i detyruar të kryejë ritestim teorik pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të cilën duhet të paguajë një shumë prej 500 lekësh për regjistrimin.

“Regjistri do të publikohet në internet, do të shtohet në një kollonë që do të ketë fillimisht 20 pikë për të gjithë drejtuesit që kanë lejen e drejtimit dhe në funksion të shkeljeve që thamë do të bëhet edhe zbritja e pikëve, kurse për rimarrjen e lejes së drejtimit nuk do të jenë nëpër autoshkolla sepse rëndohet qytetari. Kurse nuk do të ketë, secili do të shkojë të japë provimin vetëm për normat e sjelljes sepse për ato është penalizuar”, thotë Maksim Dashi, nga Ministria e Transporteve.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme Qamil Sadikaj u pyet lidhur me rastet e shkeljeve për përdorim alkooli.

‘Nën 0.5 mg/ml nuk je i dehur nuk ka pezullim, në 0.5 ke heqje pikësh, mbi këtë sasi përbën kundravajtje penale dhe shoqërohesh”, thotë Sadikaj.

Shkelje të tjera janë rastet e tejkalimit të shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë kur drejtuesi i mjetit ndëshkohet me heqjen e 8 pikëve nga patenta. Nëse është përsëritës i kësaj shkeljeje, ndëshkimi i parashikuar është minus 10 pikë. Kurse në rastet kur nuk respektohet sinjalizimi i semaforit tre herë brenda dy vitesh, drejtuesi ndëshkohet gjithashtu me 10 pikë dhe po me 10 pikë edhe në rastet kur drejton makinën në gjendje të dehur.

Top Channel