Austri, reformohet ligji mbi islamin

25/02/2015 00:00

Parlamenti austriak miratoi një propozim që reformon ligjin mbi një shekull të vjetër mbi islamin.

Ndryshimet në ligj synojnë të parandalojnë radikalizmin në vend dhe i japin më shumë siguri institucionale myslimanëve, por ndalon financimin e huaj për ndërtimin e xhamive dhe për shkollimin e imamëve.

Ministri i Integrimit, Sebastian Kurz mbrojti ndryshimet.

“Ajo që dëshirojmë ne është që të reduktojmë ndikimet dhe kontrollet politike nga jashtë për islamin. Duam t’i japim një mundësi islamit që të zhvillohet lirshëm brenda shoqërisë sonë dhe kufijve të vlerave të përbashkëta europiane”, tha ai për BBC.

Por udhëheqësit e myslimanëve në vend thonë se reforma nuk siguron trajtimin e barabartë për myslimanët me pjesën tjetër të shoqërisë.

Ata kundërshtojnë pikat e ligjit që u bllokojnë financimet e huaja dhe thonë se këtë do ta ankimojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Islami njihet si fe nga legjislacioni austriak që prej vitit 1912 dhe ligji datonte që prej asaj kohe, duke pësuar vetëm disa ndryshime të vogla.

Top Channel