Siri, delegacioni i deputetëve francezë takon Assadin. Ministria e Jashtme: Vizitë private

25/02/2015 00:00

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, priti gjatë së mërkurës disa deputetë të Parlamentit francez, në atë që konsiderohet si takimi i parë i këtij niveli, që kur Franca mbylli ambasadën e saj në vitin 2012, duke shpallur se udhëheqësi i Sirisë kishte humbur legjitimitetin.

Udhëtimi i parlamentarëve nuk është miratuar nga Komiteti i Marrëdhënieve të Jashtme në Parlament, ndaj dhe Ministria e Jashtme franceze ka bërë të ditur se nuk e mbështet aspak këtë mision.

Shumë diplomatë europianë kanë hedhur idenë jo në mënyrë zyrtare se ka ardhur koha për bisedime me Damaskun, pas një revolte 4-vjeçare të dështuar për të rrëzuar Assadin.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Siri bëri të ditur se takimi kishte në qendër të tij “sfidat me të cilat përballen rajonet arabe dhe ato europiane, veçanërisht në lidhje me terrorizmin”.

Në fund të takimit është bërë e ditur se Assad është shprehur se Siria “gjithmonë i inkurajon bashkëpunimet mes shteteve, si mënyra më efektive për të ndalur zgjerimin e terrorizmit, por edhe për ta eliminuar atë”.

Më shumë se 200 mijë njerëz kanë humbur jetën në luftën civile, që nisi kur protestat paqësore prodemokracisë u sfiduan nga Damasku me forcën e armëve. Militantët islamikë kanë shfrytëzuar situatën e trazuar për t’u rritur në numër dhe për t’u bërë forca kryengritëse më e fuqishme në këtë shtet, por edhe në rajon.

Delegacioni prej 4 deputetësh, që do të rikthehet në Francë gjatë së enjtes, udhëhiqet prej Gerard Bapt i Partisë Socialiste në pushtet, ndërsa përbëhet nga anëtarë të Dhomës së Ulët dhe asaj të Lartë të Parlamentit. Ligjvënësi Jacques Myard, i cili ka akuzuar në të kaluarën Parisin se po ndjek verbërisht politikat amerikane, konfirmoi për “Reuters” se takimi ka ndodhur gjatë mëngjesit të së mërkurës.

“Ardhja jonë këtu nuk nënkupton që ne mbështesim atë që ka ndodhur dhe po ndodh”, tha ai për mediat. “Objektivi është të kuptojmë më mirë regjimin e Assadit, sepse nuk besojmë se mund të luftohet Shteti Islamik pa Sirinë”.

Ai shtoi se disa vende, që Franca i konsideron aleate në rajon, nuk kanë luajtur rolin e tyre në betejën kundër militantëve ekstremistë.

Një burim diplomatik francez bëri të ditur se vizita konsiderohet si private dhe se Ministria e Jashtme nuk është konsultuar paraprakisht për të. “Pozicioni i Francës është i qartë. Ne nuk bisedojmë me Assadin apo klikën e tij”.

E ndërsa Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara mbeten qartazi në kundërshtim të një afrimi të mundshëm, qeveria siriane ka përsëritur vazhdimisht thirrjet për bashkëpunim ndërkombëtar në betejën kundër militantëve islamikë.

Top Channel