Mjeku popullor i njohur për kurat kundër kancerit të lëkurës

25/02/2015 00:00

Shaje Balla është 70 vjeç. Tre vjet më parë, zonja nga fshati Arbanë i Tiranës, u përball me një sëmundje të rëndë.

“Më doli një puçër e vogël, e cila më shqetësonte dhe shpesh e kruaja. Pastaj u rrit, se ne nuk i ramë pas, e u bë sa një mandarinë e madhe”.

Sëmundjen nuk e mori seriozisht prej fillimit.

“Mendoja hë se do hiqet. Ajo u zvogëlua fillimisht, pastaj u bë sërish e madhë, aq sa shumë të tjerë më thoshin mos ik në spital, mos e prit”.

Frika e një operacioni të mundshëm bëri që ajo dhe familjarët të mos shkonin në spital, ndërsa shëndeti i nënë Shajes sa vinte e përkeqësohej.

“9 muaj kam vuajtur, sepse kishte erë të keqe, por nuk më dhimbte. U harruan edhe sikletet tani, por s’mund të takohesha me njeri, as të flija në krahun e saj. Madje nuk laja dot as fytyrën”.

Sëmundja shpërtheu vrullshëm dhe ishte në moment kritik. Rastësisht familjarëve u rekomanduan që të këshilloheshin me doktor Laver Strokën, një mjek i përgjithshëm që përdor shumë bimët mjekësore në trajtimet e tij. Dy vjet më parë ai pranoi të kuronte Shaje Ballën dhe pas një muaji efekti ishte shumë i dukshëm.

“33 ditë ka ardhur doktor Laveri këtu për mjekime dhe pastaj u bëra mirë”.

Sëmundja filloi të largohej nga dita në ditë.

“Pas 2 vitesh kam shkuar te njerëzit e mi, shumë më mirë nga sa isha, sepse nuk mund të shkoja në gjendje”.

Ky është një nga rreth 1000 rastet e suksesshme, të trajtuara gjatë 40 viteve karrierë të doktor Strokës. Prof. Dr. Pjerin Radovani, një ndër emrat më të shquar të mjekësisë shqiptare, herë pas here ka bashkëpunuar me të.

“Si nisi bashkëpunimi ynë? Në ’78-n punoja në spitalin e Gjirokastrës dhe na lindi rasti i parë, për të cilin komunikuam bashkë. Ishte një i sëmurë me kancer të laringut. Ky ishte fillimi, por bashkëpunimi vazhdoi edhe kur kishim raste që shfaqeshin me sëmundje tumorale të fytyrës, disa prej të cilave edhe sëmundje malinje. Të gjitha këto raste që unë çoja te doktor Laveri, ishin raste që nuk pranonin të operoheshin, por kanë pasur sukses. Më vijnë në mendje shumë të tilla dhe alternativa e vetme ishte doktor Laveri. Por unë, pavarësisht se mund të isha kurioz ta pyesja se çfarë përdorte, për sa kohë që në Gjirokastër njihej që ky ishte një ekskluzivitet i kësaj familjeje dhe kishte pasur sukses prej vitesh, nuk kisha përse ta pyesja. Ka disa norma edhe në mjekësi, krahas asaj shkencore ekziston edhe mjekësia popullore, gjëra që njihen këto”, tha Pjerin Radovani.

Nënë Shaja tashmë është shëruar plotësisht. Nga ajo sëmunje që mund t’i merrte jetën, tashmë ka mbetur vetëm një kujtim.

Top Channel