Xperia, ‘dera’ e rikthimit të Nokia-s?

25/02/2015 00:00

Gjithnjë e më shumë përforcohen zërat se Nokia do të rikthehet sërish në tregun e telefonisë celulare dhe këtë mund të bëjë nëpërmjet “Xperia”.

Kur shiti të drejtat e produktit “Lumia” kompania finlandeze u kushtëzua nga blerësi Microsoft që të mos prodhojë telefona inteligjentë. Ky kusht skadon në fund të këtij viti, që do të thotë se Nokia, e përqendruar aktualisht vetëm në fushën e shërbimeve për klientët e vet, me hyrjen e 2016-ës ka dritën jeshile për të nxjerrë telefona me markën e vet.

Në forumet teknologjike ka zëra që thonë se Sony po kërkon që të shesë patentën për produktet “Xperia” dhe këtu si blerës potencial qarkullon emri i Nokia-s. Kompania finlandeze me shitjen e “Lumia” te Microsoft dhe shkurtimet drastike të shpenzimeve dhe punonjësve, ka të ardhurat e mjaftueshme për të blerë këtë markë, që vlerësohet nga Sony rreth 4.5 miliard dollarë.

Por nëse Nokia vendos të rikthehet te prodhimi i telefonave, përse të zgjedhë Xperia-n? Për shumë specialistë, Xperia është një produkt i mirë që ka zënë vend në treg, por që nuk ka kapur pritshmëritë për shkak të marketingut. Pikërisht këtu hyn në lojë emri Nokia, që ruan ende goxha peshë në treg, e që mund të rrisë akoma më tepër këtë peshë duke i rikthyer të prodhojë telefona në mënyrë krejtësisht të pavarur.

Top Channel