Qeveria e Maqedonisë, përmes Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim ka përgjuar mbi 100 gazetarë në vitet fundit.

Kështu u shpreh lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev në konferencën për shtyp ku publikoi gjashtë materiale të tjera audio të përgjuara, që sipas tij shpalosin lidhjen mes kryeministri Nikolla Gruevski, shërbimit sekret dhe mediave.

Bisedat e përgjuara telefonike, sipas liderit të opozitës, dëshmojnë se si ministrat e kabinetit Gruevski porosisin lajme në mediat pro-qeveritare, ndërsa kryeredaktorët e këtyre mediave pranojnë se në lajmet e tyre bëjnë propagandë për partinë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE.

“Janë përgjuar edhe gazetarët e mediave pro-qeveritare dhe gazetarët profesionistë në Maqedoni. Këto biseda zbulojnë se si personalisht drejtori i shërbimit sekret Sasho Mijallkov, në koordinim me kryeministrin menaxhojnë mediat, gazetarët, por edhe televizionin publik”, deklaroi Zaev.

Nga materialet e përgjuara dëgjohet ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska duke kërcënuar se do të largojë nga puna një gazetare të televizionit publik maqedonas, nëse vazhdon të trajtojë tema që nuk i përshtaten pushtetit.

Lideri i opozitës, Zaev, për herë të parë shpalosi edhe një bisedë ku sipas tij kryeministri Nikolla Gruevski i kërkon ministrit të Transportit, Mile Janakievski, që të sigurojë rreth 800 mijë euro fonde qeveritare për televizionet private.

Menjëherë pas publikimit të këtyre materialeve ka reaguar kryeminsitri maqedonas. Në një konferencë për shtyp ai tha se përgjimet janë kryer nga shërbimet e huaja sekrete në bashkëpunim me disa persona nga Maqedonia.

Gruevski akuzoi liderin e opozitës se përmes publikimit të këtyre materialeve të përgjuara, që i ka siguruar nga shërbimet e huaja, po tenton të kompromentojë qeverinë aktuale dhe të marrë pushtetin.

“Në periudhën e kaluar, Maqedonia ka qenë objekt i përgjimeve nga një shërbim i huaj sekret që është ndihmuar nga disa bashkëpunëtorë në Maqedoni. Nga mesi i vitit 2014 për këto materiale është informuar personi Zoran Zaev, me qëllim që ato të publikohen dhe të arrihet qëllimi i shërbimit. Personi, Zaev, duke kërcënuar me publikimin e këtyre materialeve tentoi të imponojë formimin e qeverisë teknike në Maqedoni dhe pasi kërcënimi i tij u refuzua ai filloi t’i publikojë ato”, deklaroi Gruevski.

Kryeminstri maqedonas tha se kriza politike mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut politik në Parlament. Ai bëri të ditur se nuk do të pranojë kërkesën e opozitës për formimin e qeverisë teknike dhe shtoi se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Top Channel