Gjyqi ndaj Frrokut, realizohet testi i kërkuar nga mbrojtja; “fiton” akuza

25/02/2015 00:00

Grupi i ekspertëve të gjykatës realizoi udhëtimin e provës për të vërtetuar kohën që mund t’i jetë dashur Arben Frrokut, të dyshuar për vrasjen e Komisar Dritan Lamajt, për t’u larguar nga Tirana ku ndodhi krimi drejt Kapshticës ku ai është evidentuar në sistemin “TIMS” të Policisë Kufitare.

Automjeti i i provës, tip “Mercedes Benz” i llojit ML, me dy eksperte brenda saj, u nisën rreth orës 18:27 nga Tirana, në  rrugën “Petro Korçari”, pranë bllokut “Vasil Shanto” për në drejtim të Kapshticës.
 
Po ky automjet së bashku me dy makina shoqëruese është shfaqur në hyrje të qytetit të Elbasanit dhe në orën 21:13  ajo ka mbërritur në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë. Ekspertët e gjykatës konkluduan se udhëtimi zgjati saktësisht  2 orë e 46 minuta.

Prokuroria në akuzën e ngritur thotë se Arben Frroku pas vrasjes së Kryekomisar Dritan Lamajt, në orën 18: 30 minuta, të datës 24 shkurt 2013, është nisur menjëherë drejt Kapshticës dhe ky udhëtim zgjati 2 orë e 57 minuta. Ky konkluzion i Prokurorisë ka dal pasi Arben Frroku është evidentuar nga kamerat e sigurisë në doganën e Kapshticës në orën 21:27 minuta. Por avokatët e autorit të dyshuar pretendojnë se Frokku nuk ka patur mundësi të ndodhej fizikisht kaq shpejt në Kapshticë.

Në makinën e testit të gjykatës kanë qenë një prej gjyqtarëve dhe një nga avokatet mbrojtës të Frrokut. Nga testi rezultoi se udhëtimi ishte edhe më i shpjet,  me rreth 11 minuta më pak, sesa ditën e vrasjes.

Automjeti i ekspertëve ka qenë ditën e provës i shoqërua edhe nga një makinë e dytë, ku ndodheshin prokurorët Ened Nakuci dhe Njazi Seferi.  

Ne testin e gjykatës është ndjekur rruga e vjetër, Tiranë-Qafe Krrabë-Elbasan, ashtu si dy vjet më parë.

Me këtë provë forcohet akuza e Prokurorisë që dyshon se Arben Frroku është vrasësi i Kryekomisar  Lamajt, dhe se ai ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes drejt Selankiut. Tashmë i mbetet Gjykatës së Krimeve të Rënda për të vlerësuar nëse eksperimenti në fjalë do të jetë pjesë e dosjes hetimore.

Top Channel