Imamët akuzohen për terrorizëm, prokuroria dërgon dosjen në gjykatë

25/02/2015 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen e nëntë të akuzuarve për rekrutimet e shtetasve shqiptarë që janë dërguar për të luftuar në Siri.

Që të gjithë ata akuzohen për rekrutim të personave për kryerje të veprave terroriste apo për financim të terrorizmit, nxitje, thirrje publike dhe propogandë për kreyrjen e veprave me qëllime terroriste dhe nxitje të urrejtjes dhe grindjes për shkaqe fetare.

Në këtë mënyrë, në qëndrimin e saj kundër të pandehurve Genci Balla, Bujar Hysa, Gert Pashja, Fadil Muslimani, Orion Reci, Edmond Balla, Astrit Tola, Verdi Morava dhe Zeqir Imeri, prokuroria pretendon se ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shfrytëzuar bidnjet fetare ekstreme të disa qytetarëve për t’i bindur ata që të udhëtonin drejt Sirisë dhe për t’u përfshirë atje në grupime që konsiderohen si terroriste nga Kombet e Bashkuara.

Secili nga të akuzuarit, thotë Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka patur një rol të caktuar në këtë proces. Konkretisht, Genci Balla dhe Bujar Hysa janë vetëshpallur imamë dhe gjatë riteve fetare kanë bindur masën e gjerë, thotë organi i akuzës, se lufta që bëhej në Siri ishte për një kauzë të drejtë dhe në emër të Allahut.

Për këtë, Genci Balla drejtonte xhaminë e Unazës së Re dhe Bujar Hysa xhaminë në Mëzez, që të dyja këto pa miratimin nga Komuniteti Mysliman.

Prokuroria thotë se dy imamët, në bashkëpunim me të pandehurit Fadil Myslimani, Orion Reci dhe Verdi Morava kanë gjetur vendin e përshtatshëm për të krijuar xhaminë dhe për të organizuar çdo gjë aty.

I pandehuri Gerti Pashja ndodhej në Turqi dhe realizonte në të shumtën e rasteve pritjen e personave që ishin nisur nga Shqipëria për në drejtim të Sirisë, duke bërë shoqërimin e tyre deri në këtë vend. Në një kohë që në këtë veprimtari kanë ndikuar duke bashkëpunuar dhe të pandehurit Astrit Tola e Zeqir Imeri.

Prokuroia thotë se veprimtaria kriminale ka nisur që në momentin e ndërtimit të xhamive. Genci Balla është organizatori, thotë prokuroria, ai është një nga teologët radilakë që nxit Islamin e dhunshëm dhe nxit urrejtjen ndaj besimtarëve, nxit frymën e përçarjes brenda Komunitetit Mysliman dhe është një nga frymëzuesit për organizimin e xhihadit nga Shqipëria në Siri.

Gerti Pashja konsiderohet nga prokuroria si një ndjekës fanatik i Ballës. Ai propogandonte gjithashtu xhihadin. Ndërkohë, imami i xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa shihet po ashtu si element radikal islamik dhe që predikonte në ambjentin fetar për mosnjohjen e institucioneve dhe ligjeve të shetit shqiptar.

Top Channel