Reagon Kokëdhima: Kontratat, ligjore

25/02/2015 00:00

Deputeti Koço Kokëdhima i cilësoi si shpifje akuzat e Partisë Demokratike se ai ka përfituar fonde publike gjatë ushtrimit të funksionit të deputetit dhe për këtë arsye mandati i tij është i pavlefshëm.

Duke pohuar se ai nuk ka më aksione në kompaninë për të cilën akuzohet që prej datës 6 shkurt të vitit të kaluar, zoti Kokëdhima thotë se çdo kontratë e lidhur përpara se të bëhej deputet është transparente dhe e ligjshme.

Në sqarimin e tij deputeti socialist nuk mohon se kompania e tij ka fituar fonde publike, por sipas tij kontratat e lidhura që gjatë kohës së qeverisë Berisha përkojnë me kohën kur ai nuk ishte ende deputet, në janar 2013.

Zoti Kokëdhima e ka marrë mandatin e deputetit në korrik 2013 dhe pas kësaj periudhe ai nuk mund të përfitonte më fonde publike.

Por në shpejgimin që jep, Kokëdhima kontrata e lidhura në janar 2013 ishin 12-mujore, që do të thotë sipas tij se, “shoqëria nuk mund të zgjidhte kontratat vetëm sepse një aksioner ishte bërë deputet”.

Zoti Kokëdhima thotë se pas marrjes së mandatit kompania nuk ka lidhur asnjë kontratë të re, ndërsa ai është larguar si aksioner në shkurt të vitit të kaluar.

Duke shpjeguar edhe ligjshmërinë e shitjes së aksioneve me një kontratë jonoteriale, deputeti socialist shton se strategjia e shpifjeve të opozitës do të marrë përgjigje konkrete dhe se ai është i hapur për çdo proçedurë që do të kërkojë Kuvendi.

Top Channel