Cilësia e grurit serb, diskutime në komisionin parlamentar

25/02/2015 00:00

Kreu i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Valdet Gjinovci, nuk i është përgjigjur ftesës për të raportuar para anëtarëve të Komisionit për Bujqësi dhe Planifikim Hapësinor, mbledhjen e së mërkurës.

Temë diskutimi e komisionit ishte importi i miellit nga Serbia e shtetet e tjera të rajonit, si dhe cilësia për grurin e importuar.

Në vend të Gjinovcit, para anëtarëve të Komisionit parlamentar, rreth cilësisë së importuar të miellit ka raportuar zëvendëskreu i Agjencisë dhe Veterinarisë, Naser Krasniqi. Ai ka sqaruar se nuk kanë hasur në asnjë import, sasi mielli me krunde për kafshë.

“Asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë çertifikatë, ku të jetë prezantuar si grurë për ushqim për kafshë. Ushqimi, bazuar në fitoçertifikatat që prezantohejnë atë si grurë merkantil, është ushqim për njerëz. Neve nuk kemi ndonjë fitoçertifikatë, që ka ardhur për ushqim për kafshë. Gjithmonë na ka ardhur si ushqim për njerëz”, tha Naser Krasniqi, zëvendëskryetar i AUV.

Anëtari i komisionit Shaip Muja, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se AUV është shndërruar në institucion politik.

“Kur ju thoni se mielli është krejt në rregull po bëni një vepër penale, aq më tepër  nëse shkencëtarët serbë kanë dalë e kanë thënë se mielli ka përmbajtje të mëdha të plumbit” ka thënë Muja. Ai ka shtuar më tej se, përveç grurit, ka probleme me cilësinë edhe në importin e misrit.

Ndërsa anëtari i komisionit Salih Salihu, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se nuk duhet të  importohet miell dhe grurë nga Serbia, por mund të investohet në të njëjtën fushë me miliona euro në Kosovë.

“Ne, në vend që ta shtojmë prodhimin vendas për të plotësuar nevojat, dhe këto 40 milionë të mos rrjedhin jashtë vendit, po e mbysim prodhimin vendas me këtë far monopoli që po krijohet. Monopole ka në të gjitha sektorët, por ky te gruri është shumë i vërejtshëm, se çdo shtëpi konsumon bukë”, tha Salih Salihu, anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Planifikim Hapësinor, LVV.

Anëtarët e Komisionit kritikuan përfaqësuesit e AUV, se kishin sjellë para tyre një raport të mangët dhe që nuk ishte i detajuar, ndërsa është vendosur që të bëhen analiza edhe në një institut ndërkombëtar për të parë cilësinë e grurit.

Top Channel