Fjalimi i Netanyahut në Kongres, Susan Rice: Destruktiv në marrëdhëniet SHBA-Izrael

25/02/2015 00:00

Këshilltarja e presidentit Obama për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice, ka kritikuar ashpër vizitën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Kongresin amerikan gjatë javës së ardhshme, duke e quajtur atë si “destruktive”, në atë që mund të konsiderohet si “shuplaka” e fundit në marrëdhëniet e tensionuara mes Shtëpisë së Bardhë dhe kreut izraelit.

Rice bëri të ditur gjatë së martës se vendimi i Netanyahut për të pranuar një ftesë të njëanshme nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, pas krahëve të presidentit Barack Obama dhe pa mbështetjen e administratës së tij, injekton një politikë me një shkallë të theksuar anshmërie në marrëdhëniet SHBA-Izrael.

Netanyahu do të flasë përpara Kongresit javën e ardhshme, ku pritet që ai të ngrejë kambanën e alarmit ndaj Iranit dhe negociatave në zhvillim e sipër në Gjenevë.

“Ajo çfarë ka ndodhur përgjatëve javëve të fundit, për shkak të ftesës së lëshuar nga kreu i Dhomës, pranimi i saj prej kryeministrit Netanyahu në vetëm dy javë përpara zgjedhjeve në Izrael, është se në të dyja palët është injektuar një shkallë e theksuar njëanshmërie, e cila jo vetëm që është për të ardhur keq, por është destruktive në strukturën e marrëdhënieve dypalëshe”, tha Rice gjatë një interviste për “PBS”.

Rice shtoi se marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara “kanë qenë gjithnjë bipartizane”.

Zyrtarë të administratës dhe diplomatë amerikanë u zemëruan së tepërmi kur Boehner njoftoi se Netanyahu do të fliste përpara Kongresit në lidhje me Iranin. Obama i kërkoi atij përmes telefonit, rreth një javë më parë, t’i lejonte atij një hapësirë në negociatat me Iranin dhe të mos lobonte kundër pozicionit të tij. Ndërkohë, ambasadori izraelit në SHBA, Ron Dermer, u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, vetëm një ditë më parë, por pa përmendur planet për t’u adresuar.

Disa ligjvënës demokratë, përfshi senatorin Patrick Leahy, kanë planifikuar të braktisin fjalimin e Netanyahut, me synimin për ta kritikuar, por edhe sepse Netanyahu do të kundërshtojë drejtpërdrejtë përpjekjet diplomatike të Obamës me Iranin.

E në fakt nuk kanë reaguar vetëm amerikanët, por edhe udhëheqësit izraelitë, përfshi ish-presidentin Shimon Peres, i cili ka kritikuar vizitën e Netanyahut si shkatërrimtare të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Netanyahu thuhet se do të kërkojë të përfitojë një reputacion më të mirë gjatë vizitës së tij, ndërkohë që izraelitët do t’u drejtohen kutive të votimit vetëm dy javë më vonë.

Top Channel