Arrestohen 3 gazetarë të “Al-Jazeera”-s në Paris për ngritjen e një “droni”

26/02/2015 00:00

Policia franceze arrestoi të mërkurën 3 gazetarë të “Al-Jazeera” për fluturim të paligjshëm të një avioni të telekomanduar mbi një park në Paris.

Arrestimet vijnë në një moment kur autoritetet po hetojnë për zbulimin e personave që kanë ngritur “drone”-t gjatë dy netëve të fundit mbi monumentet kryesore në kryeqytetin francez.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Parisit ka thënë se gazetarët, të gjithë shtetas të huaj, u ndaluan nga policia të mërkurën pasdite, pasi ata po komandonin një avion pa pilot mbi pyjet  “Bois de Boulogne” në Paris.

Fluturimi në lartësi të ulët mbi kryeqendrën e Francës është i paligjshëm  dhe nevojitet autorizim për çdo të tillë. “Drone”-t në vetvete, si pajisje të vogla e jo fort të kushtueshme që mund të blihen me mjaft lehtësi, nuk duhet të përbënin shqetësim të madh.

Por në Francën e vendosur në gjendje gatishmërie që prej sulmeve të shkurtit mbi redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo” e atij në supermarketin hebraik, të tilla episode nuk kalojnë pa ngjallur frikë.

Incidenti i së mërkurës vjen pas dy netëve, ku avionë pa pilotë janë shfaqur mbi qiellin e Parisit dhe autoritetet franceze nuk kanë as idenë më të vogël se kush i komandon. Misteri i “drone”-ve që kalojnë mbi objektet më të njohura të kryeqytetit të Francës sa vjen e thellohet. Tre të tillë janë parë mbi muzeun e invalidëve të luftës në “Place de la Concorde” dhe dy në portat e qytetit.

Më herët, pesë “drone” kanë fluturuar po gjatë natës në zona të ngjashme, përfshirë kullën Eiffel, e kanë kaluar edhe mbi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara. Një pjesë, megjithatë, janë filmuar dhe xhirimet do të analizohen nga një ekip prej 10 ekspertësh, i ngritur menjëherë pas incidenteve.

Top Channel