Qipro i lejon Rusisë përdorimin e porteve

26/02/2015 00:00

Qiproja ka nënshkruar një marrëveshje me Moskën për të lejuar anijet ruse të përdorin portet qipriote.

Marrëveshja është arritur pas bisedimeve mes Presidentit të Qipros, Nikos Anastasiades dhe Vladimir Putin. Marrëveshja vjen në një periudhë tejet të tensionuar ndërmjet Moskës dhe Perëndimit pas konfliktit në Ukrainë.

Presidenti Putin tha se shtetet e tjera nuk duhet të jenë të shqetësuar pasi portet do të përdoren kryesisht për të luftuar terrorizmin dhe kundër piraterisë.

Tensionet mbeten të larta mes Rusisë dhe vendeve të tjera europiane, por udhëheqësi rus nuk ishte i shqetësuar se marrëveshja mund të keqinterpretohet.

“Lidhjet tona miqësore nuk janë të drejtuara kundër askujt”,  tha Presidenti Putin. “Unë nuk mendoj se marrëveshja duhet të shqetësojë të tjerët”.
 
Presidenti Anastasiades zbuloi gjithashtu se të dy vendet janë duke diskutuar mundësinë e përdorimit të një baze ajrore të Qipros nga Rusia për misione të ndihmës humanitare.

Top Channel