Durrës, tentativë grabitjeje në zyrën postare

26/02/2015 00:00

Dy persona të armatosur kanë tentuar të grabisin sasinë e parave që po transportohej nga makina e postës për në sportelet e filialit të lagjes numër 6 të qytetit të Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së enjtes. Por rojet e sigurisë kanë bërë rezistencë ndaj grabitësve të maskuar dhe njëri prej tyre ka mbetur i plagosur në kokë nga goditja me qytën e armës.

Në këtë filial të postës bëhet shpërndarja e parave të pensionistëve, pagesat e kopshteve publike, si dhe pagesat e faturave të ndryshme.

Mësohet se i dëmtuari është dërguar në spital, ndërsa policia është vënë në ndjekje të grabitësve që janë larguar me shpejtësi në bordin e një motori.

Ata kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes në një nga zonat periferike të qytetit bregdetar, ku janë futur mes rrugicave. Uniformat blu kanë nisur kontrollin e zonës.

Top Channel