Rama njofton këshilltarin e guvernatorit të ri të BSH

26/02/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur mëngjesin e së enjtes emrin e këshilltarit të guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë.

Personi në fjalë, sipas njoftimit të kryeministrit Rama, është Mario Bleyer, një ekonomist i famshëm, sipas shefit të qeverisë.

“Mario Bleyer ka qenë për vite të tëra drejtor i politikave monetare të Bankës së Anglisë”, ka njoftuar Rama në profilin e tij në Facebook.

Prej fillimit të muajit Banka e Shqipërisë drejtohet nga Genti Sejko, i cili u votua me votat e mazhorancës dhe opozitës me 105 vota pro, 7 kundër dhe 4 abstenim.

Sejko e mori detyrën fare pak kohë pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit, vjedhje që u pasua me shkarkimin e Ardian Fullanit nga posti i guvernatorit.

Për këtë arsye, në detyrat që Sejko paraqiti si synim të tij, kthimi i besimit tek institucioni dhe rritja e transparencës tek Banka e Shqipërisë ishin prioritet.

Top Channel