“Irani” kris marrëdhëniet SHBA-Izrael

26/02/2015 00:00

Reagimi i ashpër i sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry ndaj qëndrimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu kundrejt Iranit përbën shenjën më të fundit të krisjes së marrëdhënive amerikano-izraelite.

Hendeku mes dy vendeve sa vjen e thellohet dhe së fundmi palët kanë dalë pothuajse hapur me pakënaqësi ndaj njëra-tjetrës.

Kreu i ekzekutivit izraelit kritikoi Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera Perëndimore duke thënë se po heqin dorë nga përpjekjet për t’i ndaluar regjimit të ajatollahëve prodhimin e armëve bërthamore.

“Fuqitë botërore po zmbrapsen nga angazhimi për t’i ndaluar Iranit krijimin e armëve bërthamore. Ato mbase e pranojnë një gjë të tillë, por unë personalisht nuk jam i gatshëm ta pranoj. Si kryeministër i Izraelit jam përgjegjës për Sigurinë e vendit tim dhe të qytetarëve të tij. Ndaj më duhet të bëj gjithçka kam në dorë për të paralajmëruar rrezikun e madh të një Irani bërthamor, jo vetëm për ne dhe fqinjët e tij, por për të gjithë botën”, deklaroi Netanyahu.

Por sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi pas raundit të fundit të bisedimeve në Gjenevë, se Netanyahu e ka gabim.

“Presidenti Obama e ka bërë të qartë se politika që ndjekin Shtetet e Bashkuara nuk është t’i lejojnë Iranit pajisjen me armë bërthamore, ndaj zoti Netanyahu mund të mos jetë i saktë në pohimet e tij. Izraeli sot është më i sigurtë me kohën që ne i dhamë dhe me frenimin e përparimit të programit atomik iranian, i cili u arrit falë diskutimit të marrëveshjes bërthamore”, deklaroi Kerry.

Me ftesë të liderëve republikanë, javën e ardhshme Benjamin Netanyahu do të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan, lëvizje kjo e kritikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Zyrtarë të administratës Obama nuk e kanë fshehur pakënaqësinë ndaj kundërshtimit agresiv që Netanyahu i bëri paktit që Uashingtoni po përpiqet të vulosë me Iranin.

Fjalimi në Kongres e shton akoma më shumë zemërimin e tyre, sepse do t’i japë kreut të qeverisë izraelite platformën ideale për të parashtruar argumentet e veta pikërisht në kohën kur negociatat me shtetin islamik kanë hyrë në një pikë kritike.

Top Channel