Kur Berisha sulmon Ramën por godet fatalisht Saliun!

26/02/2015 00:00

ANDREA STEFANI – Në ethen e tij për t’u rikthyer sa më shpejt në
pushtet, Sali Berisha doli para gazetarëve për të sulmuar Kryeministrin
dhe atë që ai e etiketon si “shteti policor” i Ramës.

Ky i fundit, është një shpikje e vetë Berishës si për të zëvendësuar diktaturën e proletariatit të cilën, nuk mund ta përmbysë sa herë del në opozitë pa mohuar se ajo është përmbysur një herë në fillim të viteve ’90. Prandaj ka shpikur “shtetin policor” që ka nisur ta besojë se ekziston vërtet ashtu si Don Kishoti besonte se mullinjtë e erës ishin kuçedra. Pikërisht që t’i bëjë shqiptarët të besojnë te ky halucinacion, pra t’i mashtrojë, qe edhe qëllimi i monologut të Berishës me gazetarët. Por meqenëse gjatë 25 viteve si politikan dhe qeveritar, Berisha ka bërë shumë faje, çdo akuzë dhe sharje e tij në adresë të Ramës, nuk mund të mos gjejë ilustrim me një bëmë të Saliut ndaj nuk mund të mos jetë edhe një goditje për vetë Berishën!

***

Berisha po fton shqiptarët të ngrihen kundër “shtetit policor” në një kohë që qeverisjet e tij mbajnë damkën e rekordeve të një shteti policor. Më e qenësishme për këtë tip shteti, është shtypja e protestave të popullit me dhunë. Nuk do ta ilustroj vetëm me 21 janarin. Sepse qeverisjet berishiste konservojnë rekorde edhe më të hershme të shtetit policor. Gjë që dëshmon se vrasjet e 21 janarit nuk ishin një rastësi. Prandaj do ta ilustroj me orvatjen kriminale të Berishës në vitin ’97, kur forca ushtarake dhe paramilitare u dërguan në Jug (duke tentuar edhe një përçarje të përgjakshme Jug-Veri që nuk e kish tentuar më parë as sundimtari më i keq i Shqipërisë) për të shtypur protestën e ligjshme të popullatës së mashtruar nga skemat e një krimi financiar që vetë qeverisja e Berishës e kish toleruar, për përfitime politike dhe financiare, për nja 4 vjet me radhë. Në vitin ’97, shteti policor, autokratizmi berishian, tentoi pa sukses ta sundonte ushtarakisht situatën. Ky është një fakti i pakundërshtueshëm i njohur edhe botërisht. Nuk po ndalemi te SHIKU (i deformuar në polici të fshehtë të Berishës) që ushtronte dhunë mbi opozitën si tonton makutët e satrapit të Haitit, “Papa Dok”-ut Dyvalje.

 

***

Ndërkaq çfarë ofron Berisha sot për të “faktuar” ekzistencën e “shtetit policor”? Merr shkas nga 3-4 incidente të dhunës, vërtet të patolerueshme, të ushtruar jashtëligjshëm nga disa policë mbi disa qytetarë dhe mbi këto “themele”, rreket që ngrejë “shtetin policor” që pastaj të ketë mundësi ta përmbysë për t’u rikthyer në pushtet. Pra merr shkas nga disa raste të dënueshme dhune të disa policëve, dhe që në fakt janë ndëshkuar nga vetë policia, dhe nis e i fryn prushit të revoltës sikur komisariatet qenkan shndërruar në kampe përqendrimi nazist. “Gjendja është katastrofale”, “kam të dhëna të qarta” – ulërin Berisha! Paska të dhëna të qarta?! Po a nuk tha edhe më 14 shtator 2008 se kishte të dhëna të qarta, se Hajdarin e vrau qeveria? A nuk i përgënjeshtroi këto akuza, por “pas të vjelash”, pasi shpifja kriminale i kish dhënë mundësi të bëjë krimin më të rëndë që mund të bëjë një politikan, atë të grushtit të shtetit? Berisha flitka për të dhëna të sakta! Broçkullis edhe për lidhje të Kryeministrit me banda kriminale. Pa dyshim, fjalë kazani si ato për Fatos Nanon se ndryshe, do t’i drejtohej prokurorisë. Dhe përse duhet ta besojnë shqiptarët këtë shpifarak pasi e kanë dëgjuar të flasë më “21 janar” për të “dhëna të sakta” mbi thika me helm a çadra pistoletë, por që më vonë, rezultuan gënjeshtra? Përse duhet ta besojnë shqiptarët një politikan si Berisha që akuzoi opozitën, Presidentin e Republikës, Kryeprokuroren për grusht shteti dhe më pas nuk arriti ta vërtetojë dot edhe pse kishte të dhëna të “sakta”? Të dhëna të sakta për tortura? Nuk mund të mos t’ia bësh uuff(!) kur këtë e pretendon pikërisht ai, qeveria e të cilit ka bërë më të keqen e mundshme të një qeverie, ka vrarë me plumba luftarakë 4 protestues në mes të bulevardit dhe ka plagosur me dhjetëra të tjerë! Një hipokrizi i gjakatare me “keqardhje” për torturën, e kreut të një qeverie që vrau pa keqardhje. Një torturim flagrant i së vërtetës!

 

***

Për të faktuar ekzistencën e “shtetit policor” Berisha akuzoi policinë se në një rast kishte marrë atributet e prokurorisë duke e formuluar vetë akuzën. Akuza dhe arrestimi është atribut ekskluziv i prokurorisë së shtetit – tha Berisha. Dhe ne nuk mund të mos na vijë në kujtesë “21 janari” kur Berisha, me arrogancën e një autokrati të plotfuqishëm, bëri krimin e dhunimit të prokurorisë duke e penguar atë në atributin e saj kushtetues, marrjen në pyetje të disa gardistëve lidhur me vrasjet e protestuesve. Një bllokim i prokurorisë që i dha kohë fshehjes së provave të një masakre që, pikërisht për këtë shkak, nuk është ndëshkuar edhe sot e kësaj dite as politikisht dhe as penalisht. Ja pse themi që duke u rrekur të kritikojë qeverinë Rama, Berisha nuk mund të mos i bjerë Saliut!

 

***

Janë 38 mijë qytetarë në një vit të ndaluar! – sokëllin Berisha duke e sjellë këtë statistikë si provë të “shtetit policor”. Dhe ne nuk mund të mos pyesim, kush e toleroi vjedhjen e energjisë nga mijëra familje për vite me radhë, kush e zhyti shtetin në kënetën e antishtetit nga lluca e së cilës makina e shtetit nuk mund të dalë dot edhe pa rekordin e detyruar të atyre ndalimeve? Dhe përgjigjja është evidente: Qeverisja e Saliut! Dhe sot është Berisha që rrjedhojat e asaj keqqeverisjeje antishtet, tenton t’i përdorë politikisht për t’u rikthyer prapë në pushtet dhe për të ringritur antishtetin. Se 25 vjet janë të mjafta për të provuar se si në pushtet ashtu edhe në opozitë, qoftë si Berishë e qoftë si Sali, ai di të “ndërtojë” vetëm antishtetin duke rrënuar shtetin.

 

***

Berisha ankohet se askush nuk është ndëshkuar për disa incidente si për shembull, atë të ndodhur në spitalin “Nënë Tereza” kur një vajzë pa ndjenja u abuzua nga dy adoleshentë. Mjerisht pandëshkueshmëria është terreni më i papërshtatshëm që Berisha të gërmojë llogore. Se nuk mund të mos godasë Saliun. Nga se Saliu me kompani, nuk kanë dhënë llogari as për piramidat financiare, as për luftën civile në vitin ’97, as për grushtin e shtetit të shtatorit ’98, as për mbi 200 milionë euro të vjedhura në rrugën Durrës-Kukës, as për trafikun e municioneve dhe të vrarët në Gërdec, as për faljen e ujërave detare Greqisë, as për masakrën e 21 janarit as për… lista është shumë e gjatë. Nëse ka një kritikë që Berisha mundet me plot të drejtë t’ia bëjë qeverisë Rama, është se nuk po tregon energjinë e duhur për të ndëshkuar krimet e qeverisjeve të Saliut. Por vetë Berisha nuk mund ankohet kundër pandëshkueshmërisë, sepse ai është akoma në qarkullimin politik, vetëm në sajë të pandëshkueshmërisë.

 

***

Kjo e fundit është kulmi i “elokuencës” fatale me të cilën Berisha, duke tentuar të godasë Ramën, nuk mund të mos i bjerë Saliut. Prish buzët hidhur, si për një gjë shumë të rëndë, për faktin se Rama i paska folur ashpër Presidentit të Republikës që gjithë bota e di se është një delfin i Berishës. E ka kërcënuar – thotë, dhe e shan kryeministrin publikisht “psikopat”! Aq të madh e ka mllefin patologjik sa, ndërsa e akuzon kryeministrin se nuk përmban dot veten, është vetë Berisha që i del vetja duarsh dhe e shan rrugaçërisht. Ky është politikani që e kemi në krye të politikës dhe të shumicës së qeverisjeve këto 25 vjet. Ankohet se kryeministri nuk është sjellë me etikën e duhur ndaj Presidentit pikërisht ai që Presidentin Topi e shau horr bulevardi dhe e shpifi për puçist! Si arrin Berisha ta bëjë këtë? Sepse nuk ka turp e skrupuj. Turpi është të mos bësh atë që ju këshillon të tjerëve të mos e bëjnë. Turpi është edhe një lloj frenimi. Kur njeriu nuk ka turp, dhe kur është i bindur se ca të verbër do ta mbështesin edhe në krim, atëherë nuk ka frena dhe i del vetja duarsh. Kontrollo veten! Edhe kjo një vërejtje që Berisha ia përveshi Ramës, por që në fakt goditi Saliun!

Top Channel