Itali, rreziku nga terrorizmi në nivel maksimal

26/02/2015 00:00

Autoritetet italiane japin alarmin mbi rrezikun e atentave xhihadiste në fqinjin tonë përtej Adriatikut. Sipas zyrtarëve, janë me dhjetëra luftëtarë të rikthyer nga Siria e Iraku që kanë hyrë në Itali, ku kërcënimi i sulmeve nuk ka qenë kurrë më parë kaq i lartë.

Të dhënat tregojnë se mbi 3 mijë fondamentalistë të stërvitur në dy shtetet në fjalë e të rikthyer në Europë nuk janë të organizuar në grupe, por veprojnë të veçuar dhe në çdo moment mund të hidhen në veprim për llogari të ISIS.

“Janë subjekte të rrezikshme kundrejt të cilëve duhet treguar vëmendje maksimale dhe duhen përdorur të gjitha mjetet e nevojshme për t’i kontrolluar në mënyrën më efikase të mundshme”, tha përpara Parlamentit në Rome shefi i policisë, Alessandro Pansa.

Që alarmi është në nivelin maksimal, këtë e konfirmojnë dhe ekspertët e sigurisë të cilët flasin për “faktorë risku shumë më të theksuar” sesa në të kaluarën për faktin se vatrat e luftës janë afruar me Italinë.

Një nga nevojat e momentit për përballimin e kësaj situate, sipas tyre, është shtimi i personelit në terren. Nga nga shqetësimet e parashtruara nga specialistët është fakti që rregullat ekzistuese janë mjaft të paqarta.

Ato nuk parashikojnë qartazi ndëshkimin e personave që stërviten në kampe terroriste apo që udhëtojnë jashtë kufijve për t’u bashkuar me xhihadistët.

Po kështu pretendohet edhe shtimi i kontrolleve në internet, pasi shumë të rinj zgjedhin këtë rrugë për t’u informuar mbi organizimin e sulmeve dhe prodhimin e bombave.

Në ditë e fundit është vënë re një rritje e nivelit të vigjilencës e sidomos kontrolleve në aeroporte, ku po zbatohen plane specifike për fluturimet e konsideruara të rrezikshme.

Bëhet fjalë për udhëtimet nga Evropa në Lindjen e Mesme dhe anasjelltas, sidomos në rastet kur ka edhe ndalesa në shtete ku shmangia e kontrolleve është më e lehtë.

Sa për anijet me klandestinë, zyrtarët italianë tregohen të kujdesshëm të mos heqin paralele mes emigracionit dhe terrorizmit, edhe pse nuk e përjashtojnë mundësinë që mes fatkeqëve që rrezikojnë jetën për të mbërritur në kontinentin e vjetër të fshihen ekstremistë.

Top Channel